Banorët e lagjes “Boris Kidriç” në Kumanovë për më tepër se 24 orë kanë ngelur pa ujë për shkak të një defekti në rrjetin e vjetruar të ujësjellësit, njofton Gazeta Lajm. Qytetarët shqiptarë të kësaj lagje në qendër të Kumanovës, ankohen nga punëtorët e N.P “Ujësjellësi” që sipas tyre janë treguar të papërgjegjshëm dhe nuk kanë sanuar defektin në kohë më të shkurtër.
“E kemi shumë të vështirë pa ujë në këto ditë të nxehta në muajin e Ramazanit” thonë banorët, të cilëve u është thënë se defekti nuk do të mund të sanohet as në 24 orët e ardhshme. Banorët sqarojnë se Komuna asnjëherë nuk ka investuar në lagjen “Boris Kidriç” në Kumanovë që njihet si një nga lagjet më të vjetra të qytetit, e që është e banuar me shumicë shqiptare, shkruan Lajm.
“Ish kryetari i komunës na kishte premtuar se rrjetin e ujësjellësit do ta rregullonte me para të komunës ndërsa ne duhet të financojmë rrjetin e kanalizimit. Ne e kemi kryer punën tonë ndërsa ai na ka gënjyer dhe nuk ka investuar në rinovimin e rrjetit të ujësjellësit”, thotë një banorë i lagjes, duke shprehur pakënaqësi të madhe edhe nga kryetari aktual Maksim Dimitrievski, për të cilin thotë se investimet i ka përqëndruar vetëm në pjesën e qytetit të banuar me maqedonas.
Në Këshillin Komunal të Kumanovës, ka edhe këshilltarë shqiptarë të cilëve banorët asnjëherë nuk i’a kanë dëgjuar zërin, madje për disa prej tyre, thonë se as nuk i njohin.