Asgjë e re nga fronti i bisedimeve. Kryeministri Zaev sot nuk pranoi të bëjë asnjë koment se deri në çfarë pike kanë arritur negociatat mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Mbrëmë, “Kuriri” serb shkroi se se bisedimet mes dy vendeve kanë dështuar nga që palët nuk kanë arritur të gjëjnë zgjidhje të përbashkët.
Disa orë pas publikimit të këtij lajmit, Qeveria doli me kumtesë:
“Ndërtimi i miqësisë mes dy vendeve është investim i madh për të ardhmen e përbashkët, ndërsa bashkëpunimi në të ardhmen do të rritet. Qeveria e Republikës së Maqedonisë është fuqishëm e përkushtuar në arritjen e qëllimeve strategjike, anëtrësimin në BE dhe në NATO, ndërsa është e qartë se për realizimin e këtyre është e domosdoshme të tejkalohet problemi që Greqia e ka me emrin tonë Kushtetues”.
Informacionet për të cilat “Kurir” shkruan se i ka ekskluzive, thonë se pala greke ka kërkuar që termi “Maqedoni” krejtësisht të hiqet nga përdorimi. Ndërkaq, mediat greke shkruajnë se Nikolla Dimitrov ka filluar të punojë kokë më vete, gjë që ka shkaktuar ndarje brenda qeverisë së Maqedonisë.
“Dhe telefoni nuk ra…” Kjo është kënga që orëve të fundit po dëgjohet në qeverinë greke, në pritje të Zoran Zaevit për të bërë lëvizjen dhe të caktojë takimin për marrëveshje në Prespë. Informacionet thonë se brenda qeverisë së Shkupit ka një ndarje me N.Dimitrovin i cili vazhdon të luajë lojëra personale, thanë nga Gazeta TA NEA.
Gazeta “Katimerini” shkruan se përfundimi i bisedimeve ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë ka ngecur në interpretimin e dokumeteve juridike, por jo në principet e marrëveshjes. Sipas gazetës pritet që kryeministri Zaev dhe ministri Dimitrov në 24 orët në vazhdim të japin një fjalë.
“Pas dallimeve të dukshme mes Kryeministrit Zaev dhe Ministrit për Punë të Jashtme Dimitrov, si pengesë në proces, të dy pritet që brenda 24 orësh të japin një mesazh të mundshëm për dakordim”, u shprehën nga Gazeta Katimerini.
Në një intervistë të botuar sot në “Nea Selida”, zëdhënësi i Qeverisë greke Dimitris Xanakopulos është shprehur optimist se do të ketë rezultat të mirë të negociatave. Dy ditë më parë, edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, u tha gazetarëve se “orët në vazhdim mund të jenë vendimtare për epilogun e negociatave”. Sipas tij ka një përparim serioz rreth bisedimeve dhe se dy vendet asnjëherë nuk kanë qenë më afër zgjidhjes.
Ndërkaq nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se Maqedonia punon intensivisht për arritjen e një zgjidhjeje para takimit të Këshillit Evropian, megjithatë, sipas Ministrisë së Jashtme, më të rëndësishme se afatet janë cilësia e tekstit të marrëveshjes dhe nevoja për arritjen e një zgjidhje afatgjatë të pranueshme për të dyja palët./TV21