Revolucioni shumëngjyrësh pas një pauze të gjatë i rikthehet protestave. Për nesër është bërë thirrje për protestë përpara Kuvendit në mbështetje të Prokurorisë Speciale. Në njoftimin e revolucionit mes të tjerash theksohet se kohëve të fundit siç thuhet mediat e kontrolluara nga i dyshuari Gruevski kanë nisur fushatën kundër Katica Janevës dhe tërë Prokurorisë Speciale.
Revolucioni shumëngjyrësh gjithashtu ka akuzuar liderin e VMRO-DPMNE-së se po e shfrytëzon çdo mundësi për të bllokuar punën e Speciales, ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka caktuar seancën për të shqyrtuar nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Speciales, njofton Alsat-M.
Sipas revolucionit shumëngjyrësh deputetët e VMRO-DPMNE-së refuzojnë të miratojnë ndryshimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ta vazhdojnë afatin e Prokurorisë Speciale dhe kjo i ka detyruar që protestuesit të kthehen rrugëve të Shkupit.