Në pesë vitet e fundit në Maqedoni më së shumti pagat janë rritur në sektorin e programimit, edhe atë përmbi 70 për qind. Sipas të dhënave statistikore, neto paga në muaji korrik në veprimtarinë e programimit ishte 48.264 denarë, që është për 70 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë vitit 2011. Me fjalë të tjera, paga në këtë veprimtari është rritur 20 mijë denarë, apo nga 28.392 në 48.264 denarë, njofton gazeta Koha.
Në ndërkohë, rritje të pagës në periudhën korrik 2011 e deri në korrik 2016 shënohet edhe në sektorin e barnave, edhe atë prej 33.500 në 42 mijë denarë.
Nga ana tjetër, pagat në prodhimtarinë e tekstilit përkundër rritjes prej 60 për qind, gjegjësisht prej në 9581 denarë në muajin e shtatë të vitit 2011, në 15.320 denarë në korrik të këtij viti, akoma mbeten larg mesatares prej 22 mijë denarëve në nivel të shtetit.
Ndërkaq, rroga mesatare prej 22 mijë denarëve mbetet ëndërr e paarritshme për gjysmën e të punësuarve në Maqedoni. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës për muajin nëntor të vitit të kaluar, afër 310 mijë të punësuar në industrinë përpunuese, bujqësi dhe ndërtimtari, marrin paga më të ulëta se ajo mesatare. Në muajin nëntor, duke iu referuar të dhënave të disponueshme statistikore për pagën mesatare, 125 mijë të punësuar në bujqësi kanë marrë pagë prej 16 mijë denarë, 137 mijë të punësuar në industrinë përpunuese paga prej 16.700 denarëve, ndërsa 50 mijë të punësuar në ndërtimtari kanë marrë pagë prej 19.700 denarë.