Para pak minutash është liruar nga paraburgimi Ismail Morina i njohur si Ballisti. Me një foto me konsullin shqiptar në Bari, Ballisti ka reaguar duke lajmëruar lirinë e tij.
Ismail Morina, ‘Ballisti’ ishte arrestuar më 10 qershor të vitit të kaluar në Kroaci, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe. Morina kërkohej nga Serbia, për ngritjen e dronit me flamurin “Autochtonous”, në stadiumin e Beogradit, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, në muajin tetor 2014.
Në Kroaci, Ismail Morina iu nënshtrua nëj sërë procesesh gjyqësore, për të shmangur ekstradimin në burgjet serbe, ndërsa në çështje u investuan edhe institucione politike të Shqipërisë, Kroacisë dhe Serbisë.
Më 28 mars të këtij viti, Kroacia vendosi të transferojë Morinën në Itali, ku edhe përfundimisht u lirua.
Pas lirimit me një postim në profilin e tij në Facebook ai tha:
“Përgëzime të veçanta strukturave të shtetit shqiptar që janë përfshirë në përpjekjet për lirimin tim, respekt për Kroacinë dhe Italinë në paanshmërinë e treguar prej tyre dhe mirënjohje gjithë atyre që zbritën rrugëve të kryeqytetit shqiptar në mbrojtjen time”, ka shkruar Morina në Facebook. /InfoShqip