Me ligj do të ndalohet hedhja e ushqimit të tepërt

Asociacioni për mjedis të pastër jetësor “Hajde, Maqedoni” ka ngritur iniciativë për sjellje të Ligjit për donim të ushqimit. Sipas tyre, me sjelljen e këtij ligji rregullohen të drejtat dhe obligimet në drejtim të dhurimit të ushqimit për njerëz dhe kafshë, kushtet dhe mënyra e posedimit dhe distribuimit të ushqimit të dhuruar, lehtësimet tatimore dhe stimulimet për dhurim të ushqimit para skadimit të afatit si dhe kufizim të hedhjes së ushqimit të sigurt për t’u përdorur për njerëzit dhe kafshët.

“Nevojat për sjelljen e një ligji të këtillë dhe ndryshimeve të dispozitave të tjera ligjore vijnë nga gjendja faktike e cila tregon se në vit vetëm në deponinë e Shkupit Drislla përfundojnë 1.730 tonelata ushqim (të dhëna për vitin 2014), ndërsa duke krahasuar për banorë dhe gjenerim të mbeturinave për kokë banori në tërë Maqedoninë, këto numra janë rreth minimum 5.000 tonelata ushqim që përfundon në deponi”, thonë nga “Hajde, Maqedoni”.

 Por sipas informatave më të reja, rreth 26.000 tonelata ushqim në vit përfundojnë në deponinë e Shkupit Drisla. Nga kjo sasi, 24.000 tonelata është ushqim organik i hedhur nga amvisëritë dhe objektet hotelerike. “Kjo vjen më së shpeshti nga prodhuesit e ushqimit të këtillë. Nëse bëhet fjalë për industri ushqimore, kompani të caktuar të qumështit, prodhimtari të mishit dhe prodhimeve të mishit dhe prodhime të ngjashme konditore që janë me afat të skaduar i dërgojnë vet prodhuesit. Në nivel vjetor kemi rreth 2 mijë tonelata ushqim të këtillë. Në nivel ditor pranojmë rreth tre kamionë ushqim me afat të skaduar”, ka deklaruar Goran Angellov, drejtori i deponisë “Drislla”.

Nga “Hajde, Maqedoni” theksojnë se një ndër qëllimet themelore të rregullativës ligjore është ulja e sasisë së mbeturinave të ushqimit dhe humbjeve nga ushqimi, shpërndarje të tepricës së ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm për familjet e prekura nga gjendja sociale dhe për kafshët para skadimit të afatit dhe ulja e ndikimeve negative ndaj mjedisit jetësor.

“Me uljen e sasisë së mbeturinave të ushqimit dhe shpërndarjen e ushqimit për njerëzit që kanë nevojë, do të ulej problemi me urinë në Maqedoni. Nëse arrijmë të mënjanojmë hedhjen e ushqimit dhe të ulim sasinë e mbeturinave të ushqimit në Maqedoni, do të mënjanonim edhe emetimin e panevojshëm të gazrave qelqor dhe do të kontribuonim për zbutjen e ndryshimeve klimatike. Rreth 30 për qind e ushqimit të prodhuar ose i importuar në Maqedoni asnjëherë nuk konsumohet, sepse prishet menjëherë pas mbledhjes ose gjatë transportit, ose në fund në mbeturina e hedhin zinxhirët e mëdhenj tregtarë dhe konsumatorët”, theksojnë nga “Hajde, Maqedoni”.

Asociacioni “Hajde, Maqedoni” inicion këtë rregullativë ligjore me mbështetje të “Platformës Maqedonia kundër varfërisë”, Shoqatën e nënave kryefamiljare “One can” (Një mundet), “Veprat e vërteta të këndshmërisë” dhe organizata të tjera. Shkatërrimi dhe hedhja e ushqimit nuk është i arsyetueshëm çdoherë. Afati i përdorimit jo çdoherë do të thotë se ushqimi nuk është i sigurt për t’u ngrënë.

Në botë hidhen mijëra tonelata ushqim, i cili ende mund të hahet, përkundër asaj që varfëria është problem i hidhur botëror. Organizatat joqeveritare dhe shoqatat ka kohë që alarmojnë dhe ndërmarrin aktivitete dhe iniciativa për asgjësim të kufizuar të ushqimit. Parlamenti Evropian që nga viti i kaluar ka kërkuar nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian të ulin sasinë ushqimit të asgjësuar ashtu që shitoret do të dhurojnë ato prodhime të pa shitura për qëllime bamirësie, në vend që ti asgjësojnë.

Qeveria franceze e para ka sjellë ligj me të cilin shitoret që kanë më shumë se 400 metra katrorë hapësirë u ndalohet të hedhin ushqimin me afat të skaduar. Nëse vendosin ta hedhin, atëherë do të gjobiten me prej 75.000 deri në 80.000 euro ose dy vjet burg për pronarin e shitores.

Këtyre ditëve edhe mediat në Serbi kanë paralajmëruar se me rregullativë ligjore do të menaxhohet teprica e ushqimit. Sipas informatave, tash më është formuar grup i punës, të cilin e udhëheqë Ministria e punës dhe politikës sociale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu