Puna e cila kërkon qëndrimin ulur edhe nga tetë orë në ditë rrit rrezikun nga sulmi në zemër dhe trashja për dy herë, ndërsa zgjatja, shëtitja dhe qëndrimi ulur drejt mund ta reduktojnë, transmeton koha.net.
Produktiviteti i një punëtori mesatar është rritur në mënyrë të konsiderueshme duke iu falënderuar teknologjisë, por duke paguar çmimin e stilit të jetesës ulur. Hulumtimi i portalit amerikan Online University tregon që të qëndruarit tetë orë ulur në ditë mund të lërë pasoja në gjendjen tuaj shëndetësore.
Gjatë viteve ‘60 të shekullit të kaluar, gati 50 për qind e punëve ka kërkuar aktivitet fizik, ndërsa sot vetëm 20 për qind. Nga viti 1980 deri në vitin 2000 koha të cilën e kalojmë ulur është rritur për tetë për qind, ndërsa niveli i ushtrimeve ka mbetur i njëjtë çka ka shkaktuar numër dy herë më të madh të njerëzve të trashë. Gati 80 për qind e amerikanëve punojnë në punë e cila nuk kërkon aktivitet fizik dhe për këtë arsye në vitet e fundit është rritur numri i sulmeve në zemër, tregon hulumtimi.
Më shumë se 292.345 amerikanë nuk ushtrojnë mjaftueshëm, ndërsa në ditë shpenzojnë 140 kalori më pak se sa para 50 vitesh. Mesatarisht në vit trashen rreth gjashtë kilogramë, ndërsa çdo i treti amerikan është mbipeshë. Pikërisht njerëzit e trashë mesatarisht në ditë qëndrojnë ulur dy orë e gjysmë më gjatë se njerëzit me peshë trupore normale.
Tetë orë para kompjuterit
Dy të tretat e njerëzve përdorin kompjuter në punë, çka shkakton probleme me shikimin tek 75 për qind e tyre. Ndërsa ata që punojnë në punë e cila përfshin qëndrimin ulur prej tetë orësh kanë dy herë rrezik më të madh nga sulmi në zemër se sa ata që janë aktiv fizikisht. Derisa qëndroni të ulur para kompjuterit, aktiviteti elektrik në muskujt tuaj fiket, ndërsa enzimat që reduktojnë yndyrat bien për 90 për qind. Përveç kësaj, djegia e kalorive do të reduktohet nga katër në një kalori në minutë.
Përveç rreziqeve shëndetësore të shkaktuara me qëndrimin ulur, tastiera po ashtu fsheh rreziqe, Ajo përmban pesë herë më shumë baktere se sa WC-ja publike.
Stresi
Për tre nga katër amerikanë puna është stresuese, ndërsa gati një milion prej tyre çdo ditë shkojnë në pushim mjekësor, çka punëdhënësve u kushton rreth dy miliardë dollarë në vit. Stresi i shtuar shkakton edhe dhunën psikike në vendin e punës, të cilën e kanë ndier gati 42 për qind e njerëzve.
Si të mbeteni të shëndetshëm në vendin e punës
• Zgjatuni disa herë në ditë dhe shëtitni rreth ndërtesës;
• Merruni me aktivitet fizik pas punës. Çdo orë që e kaloni para TV-së rrit rrezikun nga vdekja për 11 për qind;
• Që të mos e ngarkoni në mënyrë të shtuar shpinën në punë, uluni nën këndin prej 135 shkallëve;
• Kujdesuni për pastërtinë e tavolinës ku punoni, si dhe tuajën, prandaj rregullisht dezinfektoni tastierën, por edhe duart.