Gazetari Alban Selimi, ka shpallur publikisht kandidaturën e tij për kryetar të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Selimi i cili njihet për një mori storiesh të guximshme synimin e tij për të ardhur në krye të AGK-së e ka bërë në rrjetin social “Facebook”.
“Me propozim të kolegëve brenda Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe pasi kam marrë mbështetje nga familja, miq e kolegë të disa redaksive, kam vendosur që t’i hyj garës për kryetar të AGK-së. Edhe kësaj radhe, me një vullnet të madh dhe i përkushtuar për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të shumëta që kanë gazetarët në Kosovë, duke pritur mbështetjen Tuaj, po shpresoj që duke qenë në krye të AGK-së, të jap kontributin tim, në shërbim të gjithë komunitetit të gazetarëve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e gazetarit Selimi.
Ai është shprehur se duke qenë për çdo ditë në terren, në kërkim të lajmit dhe temave në interes publik, i mishëruar me problemet e shumëta të medias, si një ish gazetar dhe ish redaktor i vlerësuar i mediave të ndryshme; përfshirë ato online, të shtypura dhe tashmë si gazetar televizioni, shpreson të jetë një zgjidhje e mirë për të qenë në krye të AGK-së.
“Personalisht kam qenë shumë herë cak i sulmeve verbale dhe padrejtësive gjatë ushtrimit të detyrës në këto 18 vitet e fundit. E di mirë se me çfarë presioni dhe padrejtësie përballet një gazetar i ri sot në vend. Duke nisur nga vendi i tij i punës, e deri te palët e treta për të cilat shkruan.
Prandaj, nëse ekziston një arsye pse kam vendosur t’i futem kësaj gare – ajo është mbrojtja e gazetarëve të rinjë dhe punës së tyre profesionale”, ka shkruar Selimi në rrjetin e tij social.
Ai ka thënë se shpreson që në kuvendin e AGK-së do të konkurrojnë emrat më të mirë të gazetarisë kosovare.
”I ftoj ata publikisht që ta bëjnë një gjë të tillë. Në këtë mënyrë kushdo që do të fitonte, gazetarët dhe gazetaria do të kishin një aleat më shumë”, është shprehur gazetari Selimi.
Ai ka lindur në gusht të vitit 1981 ka mbaruar Fakultetin e Gazetarisë dhe ka punuar në shumë media në vend.
Selimi ka punuar disa vite në gazetën “Lajm”, pastaj monitorues dhe gazerar në BIRN, redaktor në gazetën “Tribuna”, gazetar në të përditshmën “Zëri” dhe së fundi, për më shumë se një vit punon në RTK në redaksinë hulumtuese.
Nga viti 2015, Selimi është pjesë e platformës vullnetare “Miqtë e fëmijëve”, që përbëhet nga eksponentë të çmuar të artit, kulturës si dhe ambasadorë të shteteve respektive ne Kosovë.
Alban Selimi është ndër gazetarët e paktë kosovarë që është shpërblyer me çmime prestigjioze vendore dhe ndërkombëtare.
Më 2010 fitoi gmimin e AGPK-së për storien më të mirë hulumtuese televizive ne luftë kundër korrupsionit.
Këtë çmim e fitoi edhe më 2012 me një storie të realizuar me bashkëautorin Kreshnik Gashi.
Më 2013 fitoi çmimin e parë për storien më të mirë të shkruar per të drejtat e femijeve që e ndanë Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijeve (KOMF). Më 2014, UNICEF dhe “Save the children” i dhanë çmimin “Avokati i Fëmijeve” për një varg artikujsh te publikuar ne gazetën “Zëri” e që ndikuan në përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve në Kosovë.
Më 2015 fitoi çmimin e BE-se per gazetari hulumtuese – vendi i tretë, me bashkeautor
Lavdim Hamidin. Më 2015 dhe 2016 për dy vite rresht, po ashtu fitoi çmimin për storien më të mirë të shkruar për të drejtat e fëmijëve që e ndanë koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Femijeve (KOMF), i mbështetur nga UNICEF.
Po ashtu më 2016 fitoi çmimin prestigjioz per gazetari të shkruar “Rexhai Surroi” si dhe nga AGK po këtë vit u nderua me çmimin për storien më të mirë të vitit.