Vazhdon e thellohet skandali ku Fondi për Inovacione në Maqedoni i ndau 10.5 milionë euro për projekte invoative në kuadër të planit për rritje ekonomike, por shpërndarja e këtij fondi në mënyrën që është bërë ka nxitur reagime të mëdha në opinion dhe në rrjetet sociale.
Përkundër asaj që përmban emri, shumica e mjeteve të këtij fondi kanë shkuar për të mbajtur të lumtur të afërmit dhe mbështetësit e kryeministrit Zoran Zaev, ka theksuar opinionisti Naser Pajaziti në ragimin e tij në rrejtin social Facebook, transmeton InfoShqip.
“Nga ky fond që është pjesë e buxhetit u shpërblyen gazeta “Sloboden Peçat” me pronar serb, që ja mban ‘zhagin’ LSDM-së, shtypshkronja “GINIS” e deputetit të LSDM, Hari Lokvenec dhe shumë shpejt do të dihen edhe emra të tjerë. Shumat që kanë përfituar janë nga 100 mijë deri 200 mijë euro.” – thotë Pajaziti.
“Gazeta “Sloboden Peçat”, ku kryeredaktori Branko Geroski mori një grant prej 10 milionë denarësh nga Fondi i Inovacionit i Republikës së Maqedonisë. Paratë u dhanë në thirrjen e parë publike për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nga Plani për rritje Ekonomike – shtylla e tretë.” -shkruan Republika.mk
Në një dokument të botuar nga Fondi i Inovacionit, thuhet se kjo gazetë, sipas portalit Republika, pro-qeveritare ka marrë paratë për blerjen e një makine shtypi dhe një hapsire pune.
Gjithashtu skandali është thelluar akoma më shumë ku media të shumta kanë publikuar të dhëna se kompania Kast Invest, ku bashkëpronar është zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev ka përfituar nga ky fondi mbi 160 mijë euro, informon InfoShqip.
Bashkëpronarë të Kast Invest janë dy biznesmenë maqedonas dhe zv/kryeministri Angjushev, që pas hyrjes në Qeveri është tërhequr nga funksionet udhëheqëse nëpër kompanitë e ndryshme që ai posedon. Nga Qeveria kanë thënë se nuk është asgjë kontestuese, pasi që Angjushev është tërhequr nga bordet e këtyre kompanive ku ka pasur kapital pronësie.
Por reagime ka pasur edhe nga shumë persona dhe komunitete të tjera.
Në një tjetër reagim kërkohet reagim nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, duke aluduar se asnjë kompani apo individ shqiptar ka arritur të përfitojë nga kjo iniciativë e Qeverisë, trasnmeton InfoShqip.
“Mashtrime në emër të biznesit, inovacionit dhe zhvillimit të bizneseve kreative.
Kështu Fondi i ashtuquajtur për inovacione kompenzon mediat e favorizuara.
A ka institucion që përfaqëson kompanitë shqiptare?
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore?”
Drejtori i Fondit për Inovacione tha se procesi ishte transparent dhe të gjithë aplikantët e mundshëm u njoftuan me një thirrje publike që zgjati 45 ditë. Ai thotë se sistemi i vlerësimit është i vendosur që mos të mund të ketë ndikimin çfarëdo personi, duke përfshirë edhe zyrtarët.