Një shofer shqiptar ka shpëtuar nga vdekja, falë ndihmës së një mjeku grek që ndodhej në tragetin e nisur nga Durrësi dhe reagimit të shpejtë të Rojeve Bregdetare italiane.
Siç bëhet e ditur, shoferi shqiptar i moshës 50 vjeç, ishte goditur nga infarkti, ndërsa ndodhej në tragetin e linjës.
Trageti ndodhej në mes të detit dhe kërkohej ndërhyrje e specializuar, për shkak të gjendjes së rëndë.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, anija e Rojës Bregdetare ‘CP880’ ka ndërhyrë në mënyrë urgjente duke përshkruar 50 kilometra me shpejtësi të madhe.
Sapo ka marrë shqiptarin, anija është kthyer sërish me fuqinë e të gjithë motorëve duke mbërritur në bregun e Viestes.
Aty ishte duke pritur autoambulanca dhe mjekët që kanë ndërhyrë menjëherë. Marinarët italianë kanë falënderuar një mjek grek që ndodhej në traget si pasagjer.
Ndërhyrja në kohë e tij dhe kujdesi që ka treguar gjatë tërë kohës deri në mbërritjen në breg, ka qenë thelbësore për jetën e shoferit shqiptar.
Ai është dërguar në spital ku ndodhet në kujdesin e mjekëve.