Qeveria e Maqedonisë synon të tërheqë investitorët e huaj përmes pagave të ulëta dhe injorimit të të drejtave të punëtorëve. Investitorët e huaj paguajnë më pak, ata përfitojnë nga papunësia e lartë në vend.
Përqindja e papunësisë në Maqedoni ka rënë vitet e fundit, por ajo vazhdon të jetë 25%. Gjysma e të papunëve janë të rinj nën 29 vjeç. Por në të njëjtën kohë pagat kanë shënuar rënie.
Sipas statistikave rroga mesatare në Maqedoni është 350 euro. Por rreth 70% e punëtorëve fitojnë më pak.
Në qytete si Shtipi dhe Kavadari, punonjësit e kompanive të huaja si “Draxlmaier” ose “Johnson Controls” fitojnë mesatarisht 250 euro në muaj. Ata shpesh duhet të punojnë pas orarit, përfshirë edhe të shtunat.
Qeveria e Maqedoninë synon prej vitesh të tërheqë investitorët e huaj përmes pagave të ulëta.
Por ekspertët paralajmërojnë se “historia e suksesit” me investitorët e huaj ka një çmim mjaft të lartë, që kthehet për punonjësit në makth: “Për sa kohë ne kemi një shkallë të lartë të papunësisë, ne nuk mund të presim paga të larta.
Ky është problemi kryesor i ekonomisë së Maqedonisë. Përveç kësaj, sindikatat janë shumë pasive”, thotë profesori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Zoran Ivanovski.
Pece Ristevski i Sindikatës së Industrisë, Energjetikës dhe Minierave thotë se investitorët e huaj paguajnë më pak, sepse përfitojnë nga papunësia dhe sepse ligjet që mbrojnë punëmarrësit po rrudhen, ndërkohë që qeveria bën shumë për investitorët.