‘Për Parlamentin e shqiptarëve të Maqedonisë’

Nëse donë ta dish se kur shqiptarët janë më të përçarë mes veti, atëherë dëgjo kujdesshëm se kur ata më së shumti flasin për bashkimin e tyre! Gjë të cilën sot e dëshmojnë edhe shqiptarët e Maqedonisë, ku të gjithë flasin për bashkim të forcave opozitare, por askush nuk tregon çka duhet arritur me atë bashkim dhe mos vallë çdo gjë duhet të përfundojë si bashkimet e gjertanishëm të shqiptarëve të këtushëm rreth një partie dhe rreth kryetarit të saj: vetëm sa për t’i promovuar vasalët e rinj, që do i zëvendësojë të mëparshmit që i shërbejnë sunduesit maqedonas! Apo, mbase të gjithë flasin për bashkim, shkaku se askush nuk donë ta pranojë se shqiptarët e Maqedonisë kanë mundur të bashkohen rreth një subjekti politik, por kurrë nuk ia kanë dalë të bashkohen rreth një ideali.

Dhe duke qenë të bashkuar rreth partisë e jo rreth vizonit të qartë për Maqedoninë që ata e duan, atyre u ndodhi të lodhen duke prishur një parti të keqe, që nga rrënojat e saj të ndërtojnë dy të këqija si e mëparshmja, apo duke zbehur figurën e një kryetari që e ka bërë partinë pronë të veten, vetëm për të promovuar një të njëjtë si ai, por që do jetë pronar i partisë së re! Këtë lodhje më së miri e dëshmon 60 përqindëshi i votuesve shqiptarë, që nuk dalin në zgjedhje, përqindja e atyre që u është shuar shpresa se mund të dilet nga kjo gropë septike politike, ku shqiptarët e këtushëm i futi BDI-ja dhe PDSH-ja! Pra duke themeluar parti që do i shërbejnë kryetarit të saj, e jo popullit, shqiptarët e këtushëm ranë në duart e atyre që interesin e popullit e barazojnë me të qenurit kryetar partie, ministër-vasal, kryetar komune…, pra mbetën peng e mendësisë politike që nuk të çon më larg se çdo mëhallë të ketë partinë dhe kryebanditin e sajt partiak, por duke i lënë shqiptarët e Maqedonisë pa shtet, duke i bërë shqiptarët e këtushëm qiraxhi në shtëpi të vet!

Ç’është e vërteta shqiptarët e Maqedonisë le se kurrë nuk u bashkuan rreth një ideali, por ata kurrë nuk kanë qenë të sinqertë politikisht edhe ndaj palës maqedonase. Në “odat e burrave”, shqiptarët flasin për një Maqedoni federale, për një vend me demokraci konsensuale dyetnike, për shtet me parlament dydhomësh…, por posa e marrin votën e popullit dhe posa ulen në bankat e Parlamentit republikan, ata bëhen ashtu siç e përshkruan vetveten një funksionar i lartë i BDI-së së sotme – “më shkije se shkijet” – dhe rojtarë më besnik të stabilitetit të këtij shteti. Madje aq rojtarë besnik, sa e mbrojnë Maqedoninë edhe nga vetë maqedonasit, kështu që ka ndodhur që opozita maqedonase të nxitë krizë parlamentare e qeveritare, por kurrë këtë nuk e kanë bërë partitë shqiptare. Me çka ua mundësuan sunduesve maqedonas që deri në përpikëri ta realizojnë projektin se sa më injorantë dhe sa më të ulët e ka moralin politikani shqiptar, aq më lartë atë duhet ngjitur në piramidën shtetërore, si dhe projektin se, më lirë të del t’i paguash shtrenjtë qindra shqiptarë, se tërë një populli t’ia japësh hisen që i takon. Me çka pra u bë e mundur që nga gjitha Maqedonitë e ëndërruara nga shqiptarët, të gjallërojë vetëm ajo më e dëmshmja për ata – Maqedonia e kryesuesve të vëllazëruar të BDI-së dhe VMRO-së, kjo Maqedoni që shqiptarëve të këtushëm thuajse njëherë në vit u organizon nga një “Sopot”, nga një “Brodec”, nga një “Monstër”, nga një likuidim si ai i Harun Aliut me shokët, nga një natë trishtuese si ajo e Kumanovës dhe që realizon nga ndonjë projekt për deshqiptarizimin e Maqedonisë, si “Shkupi 2014”.

Dhe përderisa Maqedonia e maqedonasve ia doli që në mos më shumë, ta realizojë ëndrrën nacional-romantike të atyre që vetveten e quajnë maqedonas, mbeti e padefinuar Maqedonia e shqiptarëve, apo “Shqipëria” në Maqedoni. Pra përderisa Maqedonia e VMRO-së dhe e BDI-së, ia doli që në mos më shumë, ta arnojë të kaluarën e munguar të etnitet maqedonas, ajo Maqedoni e harxhoi të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm. Dhe përderisa Maqedonia harxhonte të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm, Tirana dhe Prishtina zyrtare, vazhdonin të shtiren se as shohin dhe as dëgjonin gjë për mjerimin politik që i kishte kapluar shqiptarët e Maqedonisë. Me çka drejtuesit e Shqipërisë dhe të Kosovës, vetëm e sforcuan të vërtetën se në botën shqiptare, çdo gjë është e copëzuar dhe e ndarë, përpos hajdutërisë dhe nëntokës politike. Me çka pra vetëm u dëshmua e vërteta se mbar shqiptaria, do paguaj çmim të lartë shkaku se Shqipërinë e pastrojnë nga ndotësirat politike qelbësirat e bashkuara partiake, ndërkaq Kosovën e çojnë drejt perëndimit ata shkaku i të cilëve ajo mbeti gropë e izoluar e Evropës.

Po, nëse donë ta kuptosh se kur shqiptarët janë më të përçarë politikisht mes veti, mjafton të dëgjosh kujdesshëm se kur ata flasin më shumë për bashkimin e tyre. Dhe nëse donë ta dish se sa i largët është bashkimi mes tyre, mjafton të peshosh suetat e “Skënderbeve” të shumtë që kanë themeluar parti, të bindur se janë shpëtimtarë të vetëm të popullit. Gjë që sot është duke u ndodhur shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët jo se deri tani nuk janë bashkuar rreth një partie dhe rreth një prijësi partiak, por bashkimi i tillë asnjëherë nuk i ka çuar më larg se sa te vasalizmi. Dhe mbase nga ky vasalizëm, tanimë thuajse i institucionalizuar, ata harruan se kur nuk ke parakushte të bashkohesh rreth një ideologjie, ia vlen të bashkohesh rreth një ideali. Dhe ai ideal fillestar mund të jetë edhe bashkimi rreth idesë për ta themeluar “Parlamentin” e shqiptarëve të Maqedonisë, i cili më në fund do e projektonte Maqedoninë që e duan shqiptarët, të cilin projekt do ia dorëzonte në shqyrtim parlamentit maqedonas, me çka mbase do i jepej fund ndërtimit të shtetit sezonalisht – sipas marrëveshjeve katërvjeçare mes partisë shqiptare dhe asaj maqedonase që e drejton koalicionin qeveritarë. Siç janë sot BDI-ja dhe VMRO-ja, të cilat në vend të shtetit demokratik, ndërtuan shtet tenderokratik, në të cilin shtet VMRO-ja ndërton përmendore nëpër qendrat e qyteteve edhe me paratë e shqiptarëve, ndërkaq BDI-ja ngre shtatore nëpër fshatra, edhe atë të financuara nga vetë banorëve shqiptarë. Me çka pra do i jepej fund kësaj Maqedonie që e ndërtuan BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-në, këto dy parti që i lidh mes veti gjaku i prishur politik, i cili i bënë të pandashme dhe i detyron që pisllëkun e sotëm të pushtetarëve kriminelë, ta mbulojnë me përmendoret e së djeshmes së lavdishme.

Kim Mehmeti 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu