Çudia shqiptare, agjensia turistike u merr paratë dhe nuk i çon me pushime në Turqi

Disa agjencione turistike po vazhdojnë të mashtrojnë qytetarët e Kosovës, duke u marrë paratë dhe duke i lënë pa pushime. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur edhe në Gjilan, ku disa persona kanë paguar për pushime, porse nuk kanë marr biletat.

Pronari ka mbyllur agjensinë, ka fshirë faqen e tij në Facebook dhe i ka bllokuar të gjitha telefonat.

Agjencioni turistik ‘Vol Travel’ në Gjilan, dyshohet të ketë mashtruar disa qytetarë, duke ua marrë paratë për të mos i dërguar fare në destinacionin e caktuar në Turqi.

Qytetarët kanë paguar nga 600 euro për person për të kaluar pushimet në bregdetin turk, udhëtim ky i cili nuk është realizuar. Kjo pasi, ky agjencion pas pranimit të pagesave, ka mbyllur lokalin, ka hequr reklamat dhe nuk është i qasshëm për askënd.

Agjencioni është i regjistruar në Agjencionin Kosovar për Regjistrimin e Bizneseve si biznes individual, dhe statusi i tij është ende aktiv.

Njëri nga qytetarët që dyshohet të jetë mashtruar nga ky agjencion është Gazmend Rafuna, i cili ka paguar 1 mijë e 200 euro për qift e për të cilën pagesë ka edhe dëshmi.

Në këtë faturë të lëshuar nga kompania, pagesa është kryer përmes bankës dhe se udhëtimi është planifikuar të bëhej me 13 deri me 20 gusht, porse biletat Gazmendi nuk i ka pranuar ani pse në faturë shkruan se ato do t’i merr një ditë pas kryerjes së pagesës.

Ai ka thënë se pas pagesës, pronari i agjencionit i ka thënë do ju dërgoj biletat dhe numrin e dhomave. Mirëpo, që katër ditë sipas Gezmendit, pronari i agjencionit ka qenë i pa qasshëm në telefon, ndërsa edhe lokalin e ka mbyllur, duke dalë kështu jashtë shtetit.

“Unë me datën 26.07.2018 e kam bërë pagesën përmes bankës për agjencionin ‘Vol Travel’, ku pas pagesës, pronari tha se do të na dërgoj biletat dhe numrin e dhomave. Unë që katër ditë tu pritë për bileta, por ende nuk i ka dërguar. Sot në mëngjes e ka mbyllur faqen në facebook, telefonat…”, ka thënë ai.

Indeksonline ka kontaktuar disa herë sot gjatë ditës në katër numra të telefonit të kësaj agjencie, mirëpo, asnjëri nga ta nuk ka qenë në dispozicion.

Rafuna i cili dyshohet se është mashtruar nga ky agjencion, ka treguar se janë edhe shumë të tjerë që kanë kryer pagesën, por që më nuk janë kontaktuar nga pronari. Ata janë parë pranë agjencionit turistik, mirëpo, aty tashmë nuk gjendet askush.

“Kemi shkuar tek agjencioni, aty ka edhe plotë tjerë që i ka gënjyer kështu për bileta, duke u marr paret dhe dje ka dalë jashtë shtetit”, ka shtuar ai.

Edhe me Policia e Gjilanit, ka konfirmuar se disa persona janë ankuar në një agjencion turistik.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjilan ka thënë se të mërkurën rreth orës 14:00, disa persona kanë shkuar në stacion të policisë dhe kanë njoftuar se një person, në një agjencion turistik, i ka mashtruar ata duke i shitur bileta për rezervime të pushimeve në Turqi.

Ankuesit kanë thënë në polici se rezervimet kanë qenë fiktive dhe se të njëjtit kanë shkuar edhe të agjencioni turistik, mirëpo aty nuk kanë hasur në asnjë person. “Policia i ka marr deklaratat e ankuesve dhe është duke e hetuar rastin”, ka thënë Hashani.

Ai ka thënë se deri më tani nuk është raportuar për arrestimin e ndonjë personi, porse policia është duke punuar intensivisht për të sqaruar gjithë situatën.

Ndërsa sot, rasti i mashtrimit është konfirmuar edhe në raportin për media 24 orësh të Policisë së Kosovës. Sipas raportit, në rrugën “Pajazit Ahmeti”, në Gjilan, të mërkurën në ora 14:00 dy viktima femra, kanë raportuar se janë mashtruar nga i dyshuari, pronar i një agjencie turistike, duke u marr të holla për rezervime të pushimeve turistike.

“Është kontrolluar kjo agjenci, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar pasi që i dyshuari kishte hequr shtëpizën e kompjuterit dhe dokumentacionet tjera.

I dyshuari nuk ishte takuar pasi që i njëjti kishte ikur dhe ndodhet në arrati. Rasti mbetet nën hetime të mëtutjeshme”, thuhet më tej në raportin e policisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu