Lëvizja BESA: Sabotimi i Prokurorisë Speciale është amnistim i krimeve ndaj shqiptarëve

Sot, kur partia maqedonase VMRO-DPMNE, bashkë me degët e saj shqiptare, BDI dhe PDSH, me votën dhe veprimin e tyre e penguan zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike dhe e sabotuan ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, edhe një herë doli në shesh ajo që Lëvizja BESA ka kohë që e pohon – ky është pushteti më antishqiptar që ka ekzistuar ndonjëherë në Maqedoni.

Në kohën kur duhej të votohet PRO që të zbardhen rastet “Sopot” dhe “Monstra”, të burgosurit shqiptarë të lirohen dhe të marrë udhë dënimi i atyre që për kaq vite kanë ushtuar krime ndaj shqiptarëve dhe kanë abuzuar me pushtetin, çifti antishqiptar BDI-PDSH, si vasalët më besnikë të Nikolla Gruevskit, qoftë duke mos votuar ose duke u fshehur nëpër kthinat e Kuvendit, votuan që për shqiptarët akoma të vendosë Mijallkovi, Gruevski e Zvërlevski.

Pas kësaj ne nuk kemi as dyshimin më të vogël se sa janë ato të kapura nga Mijallkovi, andaj detyra më e lartë patriotike e shqiptarëve është bërë përzënia e këtij çifti famëkeq nga skena politike.

Me këtë rast i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta shqyrtojë seriozisht pozicionin e saj kundrejt Maqedonisë dhe këtyre aktorëve antieuropianë dhe antiamerikanë dhe të ndihmojë që PSP-ja ta vazhdojë punën e saj, sepse ai institucion është shpresa e fundit e drejtësisë në Maqedonisë.

Ndërkaq, pas këtij vendimi të Parlamentit të Maqedonisë, Lëvizja BESA do ta shqyrtojë seriozisht edhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet që mund të mbahen më 11 dhjetor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu