Çfarë skenari e pret Maqedoninë nëse shfuqizohet PSP?

Edhe pse qëndron në Marrëveshjen e Përzhinos se para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare Gjykata Kushtetuese duhet të prononcohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale Publike, një gjë e tillë nuk përmendet nga partitë politike edhe kur flitet rreth zgjedhjeve.

Se çka nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte prononcuar për këtë çështje pas shpërbërjes së Kuvendit, partitë politike nuk japin qëndrime konkrete, duke u arsyetuar se është situatë hipotetike dhe se para tyre kanë një Marrëveshje që duhet respektuar.

“Katër liderët kanë arritur një Marrëveshje, në mbikëqyrje të faktorit ndërkombëtarë. Momenti që pas shpërbërjes të parlamentit të vepronte Gjykata Kushtetuese, hipotetikisht, është mjaftë problematike në kuptimin ‘pse pikërisht në atë moment’?! Gjithçka vihet në pikëpyetje, sepse funksionimi i Prokurorisë Speciale Publike është mbi bazën e Marrëveshjes në mes katër liderëve të partive më të mëdha. Iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së PSP-së është gati qe 1 vjet aktuale”, tha për Portalb Talat Xhaferi, kryetar i grupit parlamentar të BDI-së.

Sipas tij, nuk ka vend për ta komentuar në aspekt praktik, por, hipotetikisht, do të shkaktonte problem në Marrëveshje.

Të njëjtën e mendon edhe Petre Shilegov, deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së.

“Është situatë hipotetike. Nuk mund të supozojmë. Kuvendi nuk duhet patjetër që të shpërbëhet me të 12-tin, e këtij muajit, kushti është 45 deri 60 ditë, teorikisht shpërbërja e Kuvendit mund të zgjatë deri më datë 25. Nuk mund ta pejuridikojmë, njërin apo vendimin tjetër të kushtetueses, do ta shohim”, tha për Portalb Shilegov.

“Ne si parti qëndrojmë në atë se çka është nënshkruar në Marrëveshjen e Përzhinos”, është përgjigjur shkurt në pyetjen e Portalb zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski.

Nga Partia Demokratike Shqiptare kanë qenë të pakapshëm për prononcim.

Shkariq: Gjykata Kushtetuese nuk po mbanë llogari për drejtësinë 

“Nëse Gjykata Kushtetuese e shpall jo kushtetues PSP-në, partitë obligohen që brenda 4-5 ditëve duhet të sjellin Ligj të ri duke e llogaritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë partitë u dakorduan që PSP të vazhdojë me punën. Prandaj, shfuqizimi i PSP-së nga ana e kushtetueses do të jetë fitore që do të kushtojë, që do të thotë shfuqizimin pa efekt”, tha për Portalb profesori universitar i së drejtës kushtetuese Svetomir Shkariq.

Në pyetjen se një vendim i këtillë i kushtetueses si do të mund të ndikojë, profesori Shkariq tha se është vështirë për tu prognozuar, por:

“Mund të sjellë tensione në trupën votuese dhe dhunë, kundër Gjykatës Kushtetuese. Sepse, vetë fakti që aq kohë të gjatë po taktizon, do të thotë që nuk mbanë llogari për drejtësinë, por për qëllime politike”, tha për Portalb Profesori Shkariq.

Deri më tani mes elitave politike në Maqedoni kanë qarkulluar shumë Marrëveshje. Mirëpo, pikërisht të mospasjes së “planit B” për secilën situatë, kriza politike po zgjatë më shumë se dy vite. Nga ana tjetër është dilemë në vete se sa mund të gjejnë vullnet partitë politike për t’a kthyer PSP-në, nëse kjo e fundit shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese./PORTALB


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu