Ekspertët juridik: Pushteti pengon zbardhjen e “Monstrës” dhe “Sopotit”(VIDEO)

Refuzimi i miratimit të ligjit për vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale dhe i ndryshimeve në ligjin për dëshmitarët mbrojtur, sipas ekspertëve është mekanizëm që pushteti e shfrytëzon me qëllim mos zbardhjen e këtyre rasteve. Sipas ish prokurorit publik republikan Jovan Tërpenovski, ai deputet që nuk miraton këto ndryshime ligjore, fsheh diçka dhe vë në rrezik integritetin e dëshmitarëve.

“Ai që nuk dëshiron t’i mundësojë PS-së që punën e saj ta kryej profesionalisht dhe të sigurojë fakte të cilat më pas do t’i plasoj në gjyq, praktikisht fsheh diçka ose nuk dëshiron që një gjë e tillë të zbardhet. Dëshmitarët që kanë qenë të gatshëm të dëshmojnë për lëndët e proceduara nga PS-ja, nuk kanë arritur atë ta bëjnë, nga frika për integritetin e tyre fizik. Mos të harrojmë se kishim një rast të një dëshmitari që na preku të gjithëve”, tha Jovan Tërpenovski, Ish Prokuror publik republikan.

Ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese Bajram Pollozhani thotë se mos miratimi i ndryshimeve ligjore nga deputetët e VMRO-së, mund të justifikohet, por një gjë e tillë nuk vlen për deputetët shqiptarë, të cilët sipas tij e kanë parasysh se bëhet fjalë për raste të cilat prekin më së shumti shqiptarët, siç është rasti Monstra dhe Sopoti.

“Këtu qëndron problemi tek justifikimi i partive parlamentare shqiptare. Deputet e BDI-së dhe PDSH kë e mbrojtën me atë që nuk e votuan apo e votuan pjesërisht dhe nuk mundësuan shumicën për vënien në rend dite këto dy ligje. Nëse janë aq të sinqertë në drejtim të mbështetjes së Prokurorisë Speciale, sa janë deklarativisht unë mendoj që duhej të votonin pro këtyre ligjeve”, u shpreh Bajram Pollozhani, Ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Pollozhani dhe Tërpenovski shprehen pesimist se edhe në të ardhmen, nëse ka një iniciativë të tillë, do të ketë vullnet nga ana e deputetëve për të miratuar këto ndryshime ligjore. Sipas tyre, një miratim i tillë mund të vijë pas një takimi liderësh i cili do t’i kushtohet posaçërisht punës së Prokurores Speciale. Për ndryshimet e iniciuara nga opozita, VMRO-ja votoi kundër ndërsa shumica e deputetëve të BDI-së dhe të PDSH-së edhe pse ishin të pranishëm në sallë nuk votuan ndërsa kishte edhe të tjerë që fare ishin të pranishëm në seancë. Mospjesëmarrja e deputetëve shqiptar në votim apo mungesa në sallë pamundësojnë që prokuroria speciale të inicioj hetimet për rastet Monstra, Sopoti dhe Neshkovski.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu