Nga: Emad Mehmeti
Sot kur Prokuroria Speciale Publike ia arrin që përpara gjykatësve ta dëshmoj fajësinë e atyre qe mbi një dekadë e zhvatën Maqedoninë, ne me të drejtë shpresojmë se në këtë vend do mbisundoj e drejta dhe ligji do vlejë për të gjithë njëlloj. Si dhe të shpresojmë se jo vetem ministrat dhe funskionarët e VMRO-së, por edhe ata te BDI-së do përgjigjen para ligjit, sepse për shumëçka BDI ja dhe Ali Ahmeti, janë ata qe e ndihmuan dhe e mbajtën ne këmbë regjimin kriminal e antishqiptar të Nikolla Gruevskit.
Pra sot kur shpallen dënimet e para ndaj atyre që burgosën shqiptarë të pafajshëm dhe që e plaçkitën shtetin, ne shqiptarët nuk duhet të harrojmë se hajdutët dhe antishqiptarët e VMRO-DPMNE’së, nuk do mund të vepronin e të bënin atë që bënë pa mbulesën e BDI-së dhe Ali Ahmetit. Ndaj edhe duhet të mbështesim dhe kërkojmë dekriminalizimin e tërësishëm të politikës shqiptare, përveç asaj maqedonase.
Dhe sot kur ne shqiptarët me aq eufori i duartrokasim PSP-së, nuk duhet të bëhemi të verbër e të mos shohim se përderisa funksionarët maqedonas të regjimit te Gruevskit dalin para drejtesis për keqbërjen e tyre ndaj shoqërisë, ata të BDI-së, deri më tani u dukën thuajse të paprekshëm. Me çka del se politikanët shqiptar ose kanë qenë melaqe mes hajdutëve të dikurshëm të VMRO-DPMNE-së, ose ‘djajë’ të derdidjeshëm që sot, njësoj si dikur Gruevski, mund t’i shrëbejnë cilitdo politikani që mund t’i shëptojë nga gjykatat. Mirëpo, me veprimet e fundit PSP po ngjallë shkëndijë shprese se megjithatë dekriminalizimi i politikës mund të ndodh. Sidomos, pas deklaratës së kryeprokurores, Katica Janeva, se tashmë ky institucion ka marrë kompetencat edhe për rastin Maxhar Telekom. Me këtë në një farë forme shkruajnë mediat, Janeva konfirmoi se pas 27 ditësh do të nisë edhe zyartisht procesi Maxhar Telekom, kundër Ali Ahmetit, Musa Xhaferit, Vllado Buçkovskit, që dyshohet të kenë marrë mito prej 17 milion eurosh për ta lejuar Telekomin e Maqedonisë që të jetë kompania monopolitare në tregun e telefonisë në Maqedoni.
Sot, si kurrë më parë duhet thënë shkurtë e shqip: përderisa nuk dekriminalizohet dhe nuk pastrohet edhe bërlloku politik shqitarë, sidomos BDI ngase ajo është në pushtet për gati se 14 vite, në këtë vend do vazhdohet të ketë drejtësi dy standardëshe, e cila do e luftojë krimin në shoqërinë maqedonase, por do e stimulojë kriminalizimin e shoqerisë shqiptare. Prandaj, PSP duhet të dëshmojë se Maqedonia tashmë është e gatshme për shoqëri të institucionalisht multietnike, duke mos bërë kalkulime mes etnive, e jo vetëm deklarativisht të kërkohet drejtësia për të gjithë. Dhe jam më se e bindur, si shumë qytetarë se ky institucion shumë i besueshëm, do ta bëjë të mundur e të qartë se: kriminaliteti nuk ka të bëjë aspak me komb e fe.
Andaj Zaev duhet ta ketë parasysh se nuk dallojnë aspak ministrat e VMRO-DPMNE’së, që i shërbyen, nga ata të dikurshmit të BDI, të cilët iu nënshtruan Gruevskit. E për të cilët funksionarë nuk mungojnë akuzat publike se kanë marrë ryshfete me miliona euro. Prandaj, njëherë e mirë elitat politike maqedonase duhet ta kenë të qartë, se nuk ndërtohet shtet me elitat politike shqiptare të korruptuara. Pra shteti mund të ndërtohet me elita të shëndosha intelektuale dhe morale, dhe jo me standarde të dyfishta! Sidomos, drejtësia e barabartë për të gjithë dhe dekriminalizimi i tërësishëm i politikës, mund të sjellin pranverën e shumëpritur në Maqedoni, që do çonte Maqedoninë në mënyrë të sigurtë drejt NATO dhe BE!