Korrupsioni në shoqëritë aksionare të ish kapitalit shoqëror

Alpin Ollogu

Me liberalizimin e tregut dhe demokratizimin e mëtejshëm të shtetit, me Ligjin e pagave filloi transformimi i kapitalit shoqëror në R.Maqedonisë. Ndërsa nga viti 1993, filloi organizimi i transformimit edhe në shoqëri aksionare. Ky kapital shoqëror nëpërmjet Agjensionit per Privatizim, u shit duke u bërë paraprakisht vlerësimi i ndërmarrjeve, me atë që 15%(përqind) nga vlera e përgjithshme i jepen Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, pa pagesë. Ndërsa pjesa tjetër u shit, nga e cila 30% e kapitalit të përgjithshëm, u mundësohet ta blejnë të punësuarit me zbritje, në bazë të vjetërsisë në punë. Me çka, disa blerës, persona fizik apo juridik, shtetas të brendshëm ose të huaj, bëhen blerës dominantë (mbi 50% të kapitalit) që fitojnë të drejtën për udhëheqje me shoqërinë aksionare.

Ёshtë interes tejet i madh për mirëqenien ekonomike të shtetit ecuria e funksionimit të këtij kapitali të privatizuar, zbatimi ligjor: të drejtat e aksionarëve të vegjël; mundësia e zhvillimit dhe punësimet e reja; taksat ndaj shtetit; jokorrupsioni i menaxhimit, jonepotizmi në menaxhim etj. Për arsye se kemi të bëjmë me ekzistimin e qindra shoqërive aksionare të ish-kapitalit shoqëror në R.Maqedonisë, të cilat kanë veprimtari fitimprurëse të konsiderueshme që ndikon drejtëpërdrejt në të mirën e përgjithshme sociale.

Sipas ligjit për shoqëritë tregtare, ai person fizik apo juridik, i vetëm ose grupacion aksionarësh të bashkuar, që kanë në posedim mbi 50%(përqind) të numërit të përgjithshëm të aksioneve, fitojnë të drejtën e udhëheqjes me shoqërinë tregtare – aksionare, nëpërmjet mekanizmit të bordit drejtues apo këshillave drejtues, këshilave mbykqyrës, dhe kuvendit të aksionarëve, të siguruara nga fuqia e aksioneve shumicë. Kemi me qindra shoqëri aksionare të këtilla, udhëhequra nga subjekti që posedon shumicën e aksioneve, apo subjekte të bashkuara që formojnë këtë shumicë. Ndërsa si mënyrë më e përhapur e blerjes së paketës udhëheqëse, është nga subjekte të vetëm, fizik apo juridik.

Kjo mënyrë e re e administrimit me ish kapitalin shoqëror, shtetin e dobët juridik të R. Maqedonisë, e gjeti të papërgatitur, me mungesë përvoje në përballjen me një nga proceset me të mëdha të liberalizimit të tregut në vendin tonë, asetet e privatizuara të kapitalit shoqëror, përfshirë edhe gjithë pjesën e burimeve natyrore të vendit, të dhëna me koncesion këtyre shoqërive aksionare. Çka është më e rëndësishme, një numër i madh aksionesh, në këto shoqëri, janë aksionet e punëtorëve, që sipas terminologjisë ligjore quhen aksionarë të vegjël, por që ligji, konkretisht Ligji për shoqëritë tregtare, mbron të drejtat e tyre, aksionet, vendimarrjen dhe përfitimet në shoqërinë aksionare ku bëjnë pjesë.

Çfarë ka ndodhur në realitet gjatë viteve të funksionimit me këto shoqëri tregtare aksionare?! Korrupsioni dhe keqmenaxhimi është bërë në mënyra nga më brutalet në shkeljen e ligjit. Në përgjithësi aktivitet korruptiv ky i padukshëm për syrin e qytetarëve dhe propagandave partiake, sepse ne fokus zakonisht është korrupsioni qeveritar, figurave politike apo i sistemit të drejtësisë. Megjithatë, heshturazi korrupsioni i shoqërive aksionare është shkatërrues për buxhetin e shtetit dhe të drejtat e punëtorëve – aksionarëve të vegjël. I padukshëm sepse shumica e popullatës dhe aksionarëve të vegjël, me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, kuptojnë si pronësi kapitalin e shoqërisë aksionare në pronësi të dominuesit e mbi 50% të numërit të përgjithshëm të aksioneve, me kuptimin se ata mund të bëjnë ç`të duan, si në pronën private. Por në të vërtetë, sipas Ligjit për shoqërite tregtare, neni 3, alinea 1, paragrafi 2: “ata nuk janë pronarë të asnjë pjese të pronës së shoqërise aksionare.”

Dispozitat ligjore për shoqëritë tregtare, obligojnë poseduesit e aksioneve shumicë, ata që udhëheqin me bordin dhe këshillat drejtues, të udhëheqin konform ligjit, pa korrupsion, nepotizëm, shmangjen e konflikti të interesit, kjo në të mirë të aksionarëve tjerë, dhe shoqërisë së gjerë, si p.sh., rritje e pagave; rritje e vlerës së aksioneve me investime; pagimi i dividentit vjetor; hapje e vendeve të punës; pagesë e duhur e taksave ndaj shtetit etj.

Sa i takon syrit të pushtetit, korrupsioni brenda shoqërive aksionare zhvillohet i padukshëm, shkaku i ryshfetit qeveritar, ryshfeti i revizorëve të pavarur të licensuar nga qeveria. Për arsyen e thjeshtë, se udhëheqësit e shoqërive aksionare, si njerëz me fuqi financiare, shndërrohen edhe si ushqyesit e fushatave dhe figurave politike që qeverisin, me çka edhe si kundërvlerë kërkojnë mbrojten nga qeveria për mos hetimin dhe ngritjen e veprave penale. Ndërsa aksionarët e vegjël, punëtorët, i janë dorëzuar këtij fakti, dhe kuptohet se kanë humbur shpresat në sistemin e drejtësisë, në këtë shtet të korruptuar frikshëm. Jo rastësisht me ndryshime qeverish të bllokut maqedon (vrulli i pastërtisë qeverisëse fillestare), zbulohen edhe vepra penale me karakter të vazhdueshëm, dhe atë të vazhduar për vite të tëra, thuajse nuk ka pasur asnjëherë kontroll shtetëror, revizionistë privatë të licensuar për revizionin vjetor të shoqërive aksionare. Megjithatë, atë që zbulon qeveria e vullnetit fillestar të qeverisjes, me atë çka fshihet prej korrupsionit, është vetëm maja “ajsbergut”.

Më të përhapura të llojit të korrupsionit në këto shoqëri tregtare – aksionare, veçojmë:

Korrupsioni i bordit dhe këshillave udhëheqës, si dhe me kuvendin e aksionarëve;

Korrupsioni në manipulimin dhe shantazhin e blerjes së aksioneve të mbetura të punëtorëve, bashkë me aksionet e Fondit per Sigurim Pensional dhe Invalidor, nga blerësi, (poseduesi i mbi 50% të aksioneve), gjegjësisht nga subjekti që udhëheq në shoqërinë aksionare;

Korrupsioni me paraqitjen e qëllimshme të humbjes vjetore, në dëm të humbjes së vlerës në treg të aksioneve, bashkë me mos pagesën e divitentit vjetor;

Korrupsioni me familjarizimin (nepotizmin) e bordit, këshillave drejtues dhe atyre mbikëqyrës, që shkakton jotransparencën, mbulimin, dhe joetikën e shoqërisë aksionare;

Korrupsioni me fshehjen e tatimit të shtetit.

Tani, si mund të bëjë korrupsion bordi udhëheqës dhe këshillat drejtues – mbikqyrës, dhe pse u dashka ta bëjë atë, kur në parim, nga poseduesi i paketës udhëheqëse, mendohet në opinionin e gjëre, se ai duhet për interes të vetë, të zhvillojë shoqërinë aksionare, ngritjen e pagave apo shtimin e numrit të punëtorëve?! Nga këndvështrimi i hetimit ligjor, çështja është më se e thjeshtë, kuptohet pse nuk bëhet diçka e tillë, për arsye profitabile të paligjshme nga dominuesi i aksioneve. Në shumicën e opinionit dhe të shumë punëtorëve aksionarë të vegjël, informacionet për të drejtat dhe detyrimet e aksionit si letër me vlerë, janë të mangëta, gabuara, shpesh herë të manipuluar nga vetë udhëheqësi – dominuesi i aksioneve. Ngase nuk kuptohet diçka; se çfarë në të vërtetë janë shoqërite aksionare sipas ligjit?!

Sipas ligjit, shoqëri aksionare janë ato të cilat kanë aksionin si letër me vlerë, në të cilën aksioni, paraqet një pjesë e kapitalit bazë të shoqërisë aksionare, ku shprehen të drejtat e aksionarit, i cili si pronar i aksioneve, nuk është pronar i pronës së shoqërisë aksionare, që do të thotë së, aksionari nuk mund të ketë pronë të shoqërisë aksionare në emër të tij, pra nuk mund ta regjistrojë në librat e kadastrës emrin e tij, por ka në pronësi vetëm aksionin si letër me vlerë me të drejta dhe detyrime që i jep ligji, siç u jep edhe aksionarëve të vegjël. Kurse disa prej subjekteve që kanë paketën udhëheqëse, krekosen në opinion, se sikur ata janë pronarët e kapitalit të shoqërisë aksionare. Mundohen qëllimshëm të mashtrojnë opinionin, krijojnë bindje dhe ndikim të rrejshëm, kryesisht tek punëtorët (aksionarë) të painformuar, për ti nënshtruar ata, dhe për tu zbehur të drejtën që ju garanton aksioni i tyre në vendimarrjen dhe përfitimin nga shoqëria aksionare.

Poseduesi i shumicës së kapitalit të transformuar në aksione, nëpërmjet bordit dhe këshillave udhëheqës, që vetë i përcakton dhe shkarkon me fuqinë e aksionit, në shtetin tonë të dobët juridik, mund të bëjë korrupsion në gjithçka fitimprurëse, si psh., shitblerjet fiktive, shitblerjet me konflikt interesi, fshehjen e taksave, përfitime të paligjshme deri në gjëra më banale në interesin e xhepave të tij, psh: nafta e makinave, mëditjet ditore, drekat e darkat etj.

Bordi drejtues (bordi i drejtorëve), për çështjet e menaxhimit, vendos me shumicë votash, që në shumë shoqëri aksionare, është i nepotizuar nga poseduesi i shumicës aksionare, që luan rol vendimtar në korrupsion. Prapa këtij bordi drejtues qëndron gjithmonë subjekti që ka shumicën e aksioneve. Vendimet në bordin drejtues (bordi i drejtoreve) merren me shumicë votash, që do të thotë se disa anëtarë të tjerë në bord, janë vetëm në aspektin formal, të anashkaluar dhe të paralizuar, pasi punën korruptive e kryejnë ata të shumicës së bordit të drejtorëve, me nënshkrimet – votat e dirigjuara nga poseduesi i paketës udhëheqëse të aksioneve, që shumë herë i shndërron edhe në viktima të veprave penale.

E rëndësishme të kuptojmë se subjektet që kanë paketën shumicë të udhëheqjes, nuk e posedojnë shoqërinë aksionare si pronë private, që të mund të marrin gjithë fitimin e mbetur, por këto janë subjekte që marin shpërblime në të holla, të caktuara në Kuvendin e aksionareve, sipas orekseve të tyre, me fuqine e aksionit. Edhe pse ligji I obligon të mbajnë llogari si shtëpiak të mirë, për të mirën e përgjithshme të aksionereve të vegjel dhe të punësuarve. Pra, këtu qëndron filozofia se pse bëjnë korrupsion si posedues të shumicës aksionare, për të fituar paligjshëm pasuri personale, jashtë shpërblimeve mujore, edhe në konflikt interesi me detyren zyrtare si drejtues.

Nëse do të bënim një kontroll me anë të procesit të vetingut, të ardhurave ligjore kundrejt pasurisë që kanë në pronësi, do të shohim një disproporcion të madh, që nënkupton burimin e korruptuar të këtyre të ardhurave. Shembull korrupsioni: bëhet një investim i cili kushton në realitet 300 mijë euro, por bordi udhëheqës apo këshillat drejtues me rekomandim të poseduesit të shumicës së aksioneve, kontraktojnë me kompaninë ndërtuese sikur është investim prej 500 mijë eurosh, domethënë 200 mijë euro mbesin korruptive në xhepin e udhëheqësit të shumicës aksionare. Ose tjetër, poseduesi i kësaj shumicë, nga prona e tij private, i shet shoqërisë aksionare një pronë shumëfish me të shtrejntë se vlera e saj në treg, kinse për nevojat e shoqërisë aksionare. Anasjelltas, një pronë të shoqërise aksionare, me vlerë shumë më të madhe, e blen si pronë të tij private, me çmim shumë të ulët. Kështu dëmton buxhetin e shoqërisë askionare, në dobi të xhepave të tij të korruptuar, me konflikt të interesit ligjor me detyrën që mbart.

E gjitha kjo në dëmin e punëtorëve dhe aksionarëve të vegjël, pagave, tatimit ndaj shtetit dhe i një pjesë që i shkon pushtetit lokal, mos flasim pastaj për shitjet e paligjshme të pasurisë së shoqërisë aksionare, aseteve të ndryshme, gjithmonë me çmime fiktive – korruptive. Si shembull konkret, mund të marrim ish kryetarin i Bordit Udhëheqës të kombinatit të miellit “Zhito Bitolla” në Manastir, Petar Ilievski, i ashtuquajturi “Puero”, i cili dënohet disa vite burg, për vepra penale ne ushtrimin e detyrës si drejtues i “Zhito Bitollës” dhe atë: shkatërrim dhe falsifikim të librave të biznesit; shitblerje joligjore; hipoteka të paligjshme, keqpërdorime me aksionet etj. (Mu kujtua “Pueroja” sepse e pashë para një kohë në Gjykatën themelore të Dibrës, gjatë një procesi gjyqesor civil. I shoqëruar me disa të tjerë, kishte ardhur nga qyteti i Manastirit, si “ndjekës” i një séance gjyqësore).

Sa i takon korrupsionit në kuvendin e aksionarëve, është i ngjashëm me atë të bordit drejtues, apo bordit të drejtorëve, sepse edhe te ky kuvend, vendimet i merr poseduesi i shumicës aksionare, me fuqinë e aksionit, ndërsa aksionarët e tjerë, të cilët mund të jenë me qindra, qëndrojnë vetëm formalisht. Dhe kjo për shumë arsye, ata manipulohen dhe frikësohen nga poseduesi i shumicës, për hakmarrje brenda marrëdhënies së punës, nëse do të ngrinin zërat e kundërshtisë. Arsye tjetër, për nga mosdija, papërgatitja e duhur për të kuptuar punët e paligjshme të poseduesit të paketës shumicë, i cili vendimet e padrejta, korruptive, i mbivoton me votat e tij shumicë. Aq më tëpër kur në procese të mundshme gjyqësore, në gjyqet korruptive si këto tonat, përgjithësisht fiton i forti i parasë, ai i cili ka në ndikim edhe politikën, dhe jo drejtësia ligjore. Në një kohë kur gjendja ekonomike e punëtorëve është e dobët, pagat e ulëta, dhe pak kush mund të merrte rrezikun të shkojë me vite të tëra të zvarritet nëpër procese gjyqësore të cilat kushtojnë në çdo aspekt. Në këto gjyqet tona të mykëta nga korrupsioni. Ky është një fakt i njohur për opinionin e gjërë.

Korrupsioni, shantazhi apo manipulimi që poseduesi i shumicës aksionare, ju bën aksionarëve të vegjël, për t’ju blerë aksionet bëhet në atë mënyrë, kur u premtohet para në të zezë, ose në ndonjë formë tjetër shpërblimi në marrëdhënien e punës, formë fiktive shpërblimi me vlerë të pakët. Në të kundërtën, shantazhohen me ndërrim të vendit të punës, presionet e njohura të punëdhënësit ndaj punëmarrësit, saqë diku detyrojnë të bëjë kontratë dhurate në dobi të poseduesit të kësaj shumice aksionare. Në të gjitha rastet, bëhen me kontrata dhurate, ndërsa ju paguhen në të zezë shumë herë më pak sesa vlera e vërtetë e aksioneve të aksionarit të vogël (në ditën e kalimit të aksionit). Shembull, nëse kapitali bazë para 13 viteve, i një shoqërie aksionare, ka qenë 1(një) milion euro, e ndarë kjo mbi 20.000 (njëzet mijë) aksione, të ndara për aksionarin e vogel 30(tridhjetë) aksione për person, me vlerën e përcaktuar fillestare prej 50 euro të një aksioni. Por sot kur vlera e kapitalit bazë të shoqërisë së njejtë aksionare, shndërrohet në herë më të madhe, minimalisht 30 milion euro, do të thotë se edhe vlera e 1(një) aksioni është 1.500 (njëmijë e pesëqind) euro. Rezultati është se çdo aksionar i vogël me 30 (tridhjetë) aksione, ka kapital në vlerë prej 45.000 (dyzet e pesë mijë) eurove. Pra, ata që i kanë shitur aksionet me kontrata fiktive dhurate, tani e kuptojnë se sa rëndë janë mashtruar për vlerën e shitur.

Këtu qëndron edhe përgjegjësia ligjore e shtetit, organeve të prokurorisë, Berzës për shitblerjen e letrave me vlerë, dhe noterëve si shërbim publik në vërtetimin e kontratave fiktive dhurate. Kur dihet se kontrata e dhuratës ka karakter familjar, ose maksimum për ndonjë mirënjohje të madhe personit që i dhurohet. Mos harrojmë pastaj format korruptive të blerjes së aksioneve të Fonditi për Sigurim Pensional dhe Invalidor, me shitje publike fiktive, veçanërisht duke anashkaluar në procedurë shitjeje edhe aksionarët e vegjël që kanë përparësi ligjore në blerjen e këtyre aksioneve. Edhe kjo kuptohet pse ndodh, ai që ka mundësi financiare, korrupton organet shtetërore, partitë politike, në këtë sistemin e dobët të drejtësisë së R.Maqedonisë.

Bëhen këto kontrata të dhuratës, masivisht, sepse interesi i atij që ka shumicën aksionare, është që të blejë qind për qind aksionet, për ti shmangur aksionarët e vegjel, të drejtat që u garanton aksioni i tyre në bazë të ligjit, ose për ti rritur mundësitë e manipulimeve të pakontrolluara me shoqërinë aksionare. Në shtete të dobëta të drejtësisë, edhe gjigantët e mëdhenj, siç është për shembull kompania e gipsit “Knauf”, bëjnë të tilla manipulime dhe korruptime me aksionarët e vegjël, siç bëri kjo kompani në fillimet e veta, kur bleu aksionet fabrikës së gipsit “Radika” në Dibër. Manipuloi aksionarët e painformuar, duke ju dhënë para kesh, për dalje nga puna dhe blerjen e aksioneve të tyre, Çështja e manipulimit dhe shantazhit për shitjen e aksioneve vazhdoi dhe po vazhdon akoma. Me këto taktika “Knaufi” arriti të sigurojë shumicën e aksioneve, dhe të udheheqe me këtë shoqëri aksionare, pasi fillimisht këtë shumicë e posedonin të punësuarit – aksionerët. Kështu që vetëm pak prej tyre kanë rezistuar të mos i shesin aksionet, aksione të cilat sot kanë vlerë shumëfish më të madhe.

Theksojmë edhe atë që jo rrallë herë këta posedues të shumicës aksionare mburren ose trumbetojnë në publik, se sikur mbajnë shumë familje me bukë, duke manipuluar opinionin dhe ndoshta besuar gënjeshtrat e veta, sidomos nga ata të shoqërive aksionare që kanë në koncesion pasuritë natyrore. Faktet flasin se edhe para se të privatizohen aksionet, në këto shoqëri, të punësuarit ishin aty, ndërsa sot, situata mund të jetë edhe më keq. Këta drejtues të shoqërive aksionare, disa e zvogëlojnë numrin e të punësuarve, si teprice teknologjike, e disa të tjerë, nuk i ngrenë rrogat e punëtorëve. Pasi, kushdo që do ti merrte në udhëheqje shoqëri të tilla, minimalisht do siguronte rrogë për punëtorët, ndoshta shumë me të larta, nëse do punonte drejt. Pastaj edhe mund të zgjeronte numrin e të punësuarve, nëse vërtetë do të punonin në përputhje me ligjin, pa vjedhje. Në këtë propaganda manipulative të drejtuesve, shpeshherë bien edhe figura politike për x arsye sponsorizimi, duke përçuar në popull një të pavërtetë të madhe.

Mundësia tjetër për korrupsion, është nepotizmi ose familjarizimi i bordit drejtues dhe këshillave drejtues, që tregon për nivelin se si administrohet shoqëria aksionare nga poseduesi i shumicës. Familja në bordin drejtues, stopon transparencën dhe ngre fuqinë e manipulimit. Nuk është e thënë të jetë i familjarizuar i gjithë bordi drejtues, por familjarizohet shumica e tij, aq sa duhet për të vendosur dhe kaluar çështjet me shumicë votash. Të tjerët në bord, janë formalë, pa fuqi për të bërë diçka, në këtë shtetin tonë të së drejtës së shkatërruar.

Nga të rëndësishmet e korrupsionit, padyshim është fshehja e tatimit, detyrimeve që subjektet duhet ti paguajnë shtetit. Për shkaqet e mësipërme, në shoqëritë aksionare mënyra e manipulimit me taksat, është në dimensione tjera. Një formë tjetër me abuzimin e taksave, është edhe pagesa e taksës së koncesionit, jo në përputhshmëri me ligjin adekuat. Bëhet fshehje e sasisë së shfrytëzimit të së mirës natyrore. Shembull: shfrytëzohet një e mirë natyrore 50 tonë minerale, apo 50 litra ujë në second, ndërsa me anë të korrupsionit – ryshfetit, paguhet dhjetëfish më pak taksë.

Çdo akt për mos pagimin e këtij tatimi, dëmtimi i aksionarëve dhe punëtorëve, krijon shtresa me mirëqenie të dobët, varfëri. Ndërsa në anën tjetër krijon persona shumë të pasur korruptiv, ashtu siç ndodh në vendet me demokraci të cunguar, shtete të dobëta juridike. Reformat e mundëshme në drejtësi për shtetin e së drejtës, përmbushjen e kushteve për integrimet në strukturat perëndimore, padyshim duhet të fokusohen edhe tek çështja e menaxhimit dhe kontrollit të shoqërive aksionare, si ish-kapitali shoqëror. Të shkulet gangrena e korrupsionit edhe nga ky segment i ekonomisë, në të mirën e përgjithshme. Dashtë Zoti!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu