Gazetari dhe shkrimtari grek Nikos Dimou (mes të tjerash editorialist në gazetën To Vima), ka publikuar një shkrim me titullin: “Shqiptar o shqiptar…”.
Ai i analizon rezultatet e studimit duke iu referuar dhe faktit që Greqia nuk pranon emigrantët në gjirin e saj, duke u ndalur dhe në raste konkrete, si ai për shkrimtarin Gazmend Kapllani.
Nga Nikos Dimou
“Po plakemi dhe po varfërohemi si vend. Statistikat thonë se në 2050 ne do të jemi një milion e gjysmë qytetarë më pak – dhe shumë më të plakur. Tashmë lindin më pak fëmijë, ndërsa më shumë të rinj po largohen nga vendi, dhe në qoftë se vazhdojmë kështu, mund të pakësohemi aq shumë sa që Evropa të na mbajë thjesht si një relike. Domethënë, për të ruajtur Akropolin. Nuk më shqetëson viti 2050 – gjithsesi nuk ka shanse të jem gjallë deri atëherë, pavarësisht zhvillimeve të shumta që mund të shënohen në shkencën e jetëgjatësisë. Dhe për Greqinë, unë nuk do të mbaj zi tani: çdo popull e zgjedh vetë fatin e tij.
Po, ky ështëAtdheu im. Dhe po, sigurisht që e dua. Përndryshe, unë nuk do të shkruaja aq shumë libra, artikuj dhe komente për ta ndihmuar atë. Po, shumica e tyre janë kritike. Por unë e kam thënë më parë: patriot i vërtetë nuk është ai që bërtet “urra” dhe i mbushen sytë me lot kur dëgjon Mantzaron (muzikant grek i shekullit të 19-të). Përkundrazi, është ai që përpiqet të nxjerrë në pah dhe të korrigjojë gjërat e gabuara.
A kam korrigjuar ndonjë “gjë të gabuar”? Dyshoj shumë për këtë. Unë kam korrigjuar disa gjëra të gabuara – të mijat dhe të të tjerëve. Por nuk mendoj se kam ndryshuar gjë. Dhe ky shkrim tregon një gjë të gabuar. A do të ndryshojë diçka? Tema e këtij shkrimi është shkrimtari grek më i suksesshëm ndërkombëtar i gjeneratës së tij. Ai është grek sepse shkruan greqisht.
Por tipikisht nuk është grek, për “shkak” (siç shkruan ai) të “refuzimit shumëvjeçar të shtetit grek për t’i dhënë shtetësinë greke”. Ai hyri “kontrabandë” në Greqi nga Shqipëria dhe pa ditur asnjë fjalë greqisht, në vitin 1991. Ai ka bërë të gjitha punët që bëjnë emigrantët e paligjshëm: ndërtues, pjatalarës, shitës në kioskë. Ndërsa mësonte greqisht. Ai studioi letërsi në Universitetin Kapodistrian dhe përfundoi doktoraturën në Universitetin e Panteio.
Për dhjetë vjet (2001-2011) ishte kolumnist në gazetën Ta Nea (atje e lexova në fillim, së bashku me mijëra të tjerë). Ka shkruar tre libra në greqisht, që janë përkthyer në shumë gjuhë: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, polonisht, danisht dhe sigurisht në shqip. Tani jep leksione në një universitet amerikan. Biografia e tij, në faqen e parë të publikimit të tij në greqisht, përfundon me fjalinë: “Pas 25 vitesh jetese dhe pune në Greqi, vendosa të emigroj në SHBA, sepse…” (si më sipër arsyeja). Duke lexuar këto fjalë ndjeva një turp të thellë.
Çfarë tjetër mund të bënte një emigrant, zotërinj burokratë të fiksuar pas karrigeve, për t’iu bindur se është i denjë për të fituar shtetësinë greke – tashmë e ka marrë fëmija e tij. Unë do e kisha deklaruar jo vetëm grek, por madje “grek të nderuar”. Uroj që të kishim dy ose tre më shumë si ai! Madje edhe tani jam i irrituar nga presioni që i bën Bashkia e Athinës disa shqiptarëve që njoh: njëzet e dy vjet në Greqi, greqishte të pastër, fëmijët e tyre tashmë kanë shtetësi greke, punëtorë të palodhur, kanë blerë shtëpi dhe paguajnë rregullisht këstet.
Më shumë se katër vjet pritje, që Komisioni të vendosë! Le të kthehemi në fillimin e artikullit: ne po plakemi dhe po pakësohemi! Kur në shekulline 13-të Greqia qendrore ishte e boshatisur nga popullata (për shkak të epidemive, luftërave, piratëve), shqiptarët (që më vonë i quajtëm arvanitë) erdhën dhe kolonizuan Atikën, Peloponezin verior, ishujt e Gjirit Saronik dhe pjesë të tjera të Greqisë.
Ata luftuan me ne në Revolucionine 1821 dhe ishin kryekomandantët tanë më trima. Bëni një udhëtim në “Pediotou Areos” (vendodhje në Athinë, e planifikuar për nderimin e heronjve të revolucionit të 1821) për të parë se sa shumë heronj kanë emra shqiptarë…
Ne mund të kemi ndryshuar emrat e vendeve që kam mësuar unë si fëmijë: Bojati, Kiourka, Ljopësi, Kryekouqi (vendodhje që ishin vendosur arvanitët) por disa vende na kanë shpëtuar: aeroporti ynë na kujton kryekomandantin e madh, kryegjeneralin e Venedikut, Bue Shpata. Vendi që plaket dhe pakësohet, ka nevojë për gjak të ri. Duket me të vërtetë e çuditshme që disa duan të bëhen grekë, kur ka aq shumë grekë që do të donin të ishin diçka tjetër.
Ndoshta kjo mund të tingëllojë pak… si tradhti, por tani jemi ne që kemi nevojë më shumë për disa prej tyre (emigrantë), se sa ata për ne. Lidhur me autorin, siç shumëkush nga ju do e ketë gjetur, ai quhet Gazmend Kapllani.
Lexoni librin e tij të mrekullueshëm: “Ditar i vogël kufijsh”, i publikuar në një edicion të ri. Sfidoj përgjegjësin që e “refuzoi” atë, të na shpjegojë përse na privoi nga një bashkashkatdhetar i tillë, dhe gjuhës greke i privoi një shkrimtar të madh?
Në të kundërt, unë i kushtoj parullën e famshme: “Shqiptar o shqiptar kurrë nuk do të bëhesh grek!”, me kuptimin…. e kundërt”.