Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, ka thirrur sërish sot në takim ambasadoren e Greqisë, Eleni Surani. Ambasadorja është thirrur pas incidentit të ndodhur një ditë më parë në Athinë, ku protestuesit kanë dhunuar simbolet tona kombëtare, duke djegur flamurin kuq e zi.
Ambasadores iu kërkua distancimi dhe në të njëjtën kohë, dënimi nga ana e autoriteteve greke ndaj këtyre akteve të rënda që cenojnë klimën e marrëdhënieve miqësore mes fqinjëve.
MEPJ nënvizoi gjithashtu nevojën që autoritetet greke të marrin masat e duhura për të garantuar jetën dhe pronën e shtetasve shqiptarë me banim në Greqi.
Ndërkohë Surani ka qenë dhe ditën e djeshme në Ministrinë e Jashtme, ku kanë folur rreth incidentit të ditës së diel, ku u vra 35 vjeçari grek Kostandions Kaçifas, pas përplasjes me armë me forcat RENEA.