Të matura nga numri i vizitorëve që kalojnë së paku një natë në një qytet të caktuar, studimi, i cili kryhet që prej shtatë vjetësh, parashikon se cilat qytete do të jenë më të vizituara gjatë vitit 2016.
Nga rajoni i Azi-Paqësorit në Evropë, Lindje të Mesme apo Afrikë, këtu janë 20 qytetet që pritet të shënojnë shumë vizitorë gjatë këtij viti.
20) Praga, kryeqyteti i Republikës Çeke pritet të ketë 5.81 milionë vizitorë ndërkombëtarë të tërhequr nga bukuritë e këtij qyteti.
Mbi 87 për qind e vizitorëve në Pragë janë për pushime ndërsa pjesa tjetër shkon për biznes.
19) Shanghai, metropoli më i madh i Kinës do të ketë 6.12 milionë vizitorë ndërkombëtarë por këtu, 55 për qind e vizitorëve janë për qëllime biznesi ndërsa pjesa tjetër shkon për pushime.
18) Kryeqyteti i Austrisë, Viena, parashikohet të vizitohet nga 6.69 të huaj, ku kulmi i sezonit turistik shënohet në qershor dhe korrik. Vetëm 18 për qind e vizitorëve shkojnë atje për biznes ndërsa pjesa tjetër shkojnë për të shijuar pallatet perandorake, muzetë dhe parqet.
17) Osaka në Japoni do të numërojë 7.02 milionë vizitorë të huaj deri në fund të këtij viti, ku shumica dërrmuese (87 për qind), shkojnë për qejf. Kulmi i sezonit këtu është gjatë muajve prill-korrik.
16) Roma vizitohet nga 7.12 milionë turistë në vit të përqendruar në muajt korrik-gusht.
15) Taipei, kryeqyteti i Taivanit pret 7.5 milionë vizitorë ndërkombëtarë, përgjithësisht në mars, në nëntor dhe dhjetor.
14) Milano është qyteti tjetër italian që pret 7.65 milionë vizitorë ndërkombëtarë, ku shumica janë për qejf por 27 për qind e vizitojnë për biznes.
13) Qyteti më i madh i Holandës Amsterdami pret 8 milionë vizitorë të përqendruar në korrik dhe gusht, qytet ku mund të shijohen panoramat piktoreske me kanale të panumërta, varka dhe lokale.
12) Barcelona në Spanjë mikpret 8.2 milionë turistë të huaj, 90 për qind e të cilëve shkojnë për qejf dhe më pak se 10 për qind për biznes.
11) Hong Kongu, teknikisht pjesë e Kinës pret 8.37 milionë vizitorë ndërkombëtarë. Sezoni turistik këtu është nga tetori në dhjetor dhe shumica e shpenzimeve të turistëve shkojnë për të bërë blerje.
10) Kryeqyteti i Koresë së Jugut, Seuli pritet të shënojë 10.2 milionë turistë të huaj, të cilët, 58 për qind të shpenzimeve i çojnë për blerje.
9) Kryeqyteti i Japonisë, Tokio, pritet ta mbyllë vitin me 11.7 milionë turistë të huaj.
8) Stambolli në Turqi numëron 11.95 milionë turistë, 91 për qind e të cilëve shijojnë pasurinë kulturore të qytetit të ndërtuar në pikën ku lindja takon perëndimin.
7) Kuala Lumpur, në Malajzi do të ketë 12.02 milionë turistë të huaj ku 73 për qind janë për pushime por 27 për qind e vizitojnë për biznes.
6) Qytet-shteti i Singaporit ka 12.11 milionë turistë të huaj nga të cilët 23 për qind janë për biznes.
5) Nju Jorku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numëron 12.75 milionë vizitorë ndërkombëtarë, të cilët i shpenzojnë paratë më së shumti për akomodim, blerje dhe ushqime.
4) Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe ka 15.27 milionë vizitorë. Këtu, 20 për qind e vizitorëve janë për biznes dhe 80 për qind për pushime. Kulmi i sezonit shënohet në dhjetor dhe janar, kur temperaturat janë më të ulëta.
3) Parisi është destinacion i përhershëm dhe këtë vit do të mikpresë 18.03 milionë turistë të huaj. Një e treta e turistëve shkojnë në Paris për biznes dhe kulmi i vizitave shënohet në dhjetor, mars dhe maj.
2) Londra ka 19.88 milionë turistë të huaj të cilët i shpenzojnë paratë më së shumti për pazare dhe akomodim.
1) Bangkoku në Tailandë zëendin e parë në botë për nga numri i vizitorëve të huaj me 21.47 milionë vetë. /Birn/