Bisedat e përgjuara mbetën vetëm në “Youtube”, ndërkaq në to mundet të dëgjohen zëra që kinse janë të anëtareve të lartë të udhëheqësisë së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe funksionarëve të saj në institucione. Paraprakisht, edhe biseda private të biznesmenëve dhe gazetarëve janë gjetur në këtë kanal me tema që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesin publik: nga thashetheme deri në biseda intime, por edhe korrupsion, krim ose diçka që preokupon 2 milion banorë të Maqedonisë.
Palët e prekura nga përgjimet që po qarkullojnë nëpër rrjete sociale kanë reaguar publikisht, por edhe u janë drejtuar institucioneve kompetente të Maqedonisë të marrin masa parandalimi.
Ekspertët thonë se askush s’mund të jetë i sigurt dhe se shpërndarja e materialeve ilegale ka të bëjë me qërime të hesapeve politike nga qarqe të njohura politike. Organet kompetente zotohen se do ta zbardhin rastin, derisa partitë politike akuzojnë njëra tjetrën për shantazhe, shkruan analiza e Portalb.mk dhe NovaTV.
Teksti në gjuhën maqedonase është në këtë link.
Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti nëpërmes një postimi në rrjetin social fejsbuk ajo ka njoftuar opinionin se i është drejtuar edhe institucioneve kompetente dhe se nga të njëjtat pret reagimin e duhur.
“Këtë informatë unë ia kam transmetuar edhe Prokurorisë Speciale, por edhe Ministrit (të opozitës) të Punëve të Brendshme. Këtë informatë ua kam transmetuar edhe Zëvendës Ministrit për Punë të Brendshme Nuhiu, si dhe Zëvendës Drejtorit për Siguri Publike Dehari”, thekson mes tjerash Mehmeti.
“Janë punë anti ligjore. Unë s’merren me ato punë. Ka Prokurori Speciale Publike”, tha për Portalb ish zv/kryeministri Musa Xhaferi. Ky i fundit nuk është përgjigjur nëse këto përgjime janë hakmarrje e VMRO-DPMNE-së ndaj BDI-së.
PSP ka vërtetuar se ka ngritur procedurë për ankesat të cilat i ka parashtruar deputetja Ermira Mehmeti në lidhje me aferën e përgjimeve.
“Kemi pranuar ankesat. Tani, materialet i kemi dërguar në institucionet e huaja, për ekspertizë”, tha për Portalb zëdhënësja Lençe Ristovska.
Edhe pse Ministria për punë të brendshme thotë që ka marrë masat e nevojshme për zbardhjen e rastit deri më tani asgjë nuk është bërë.
“Në lidhje me inçizimet që po qarkullojnë ditëve të fundit, MPB ka marrë të gjitha masat e nevojshme që janë nën kompetencën e saj. Të premten është njoftuar edhe Prokuroria Publike, ndërkaq dje është dhënë urdhri që materialet të hiqen nga rrjetet sociale. Do të kontrollohen IP-adresat me qëllim që të zbulohet kush i ka shpërndarë këto materiale”, tha për Portalb zëdhënësi i MPB-së Toni Angelovski.
Nga Prokuroria Publike për Portalb shkurtë konfirmuan se po punojnë në zbardhjen e rastit.
Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale thotë që megjithatë nuk ka pranuar ankesë nga ndonjëri prej protagonistëve në audio inçizimet, që po qarkullojnë ilegalisht.
“Në drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale nuk kemi shënuar ndonjë evidencë për ankesë të parashtruar për shkeljen e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale në raport me bisedat e përgjuara ilegale”, vërtetuan për Portalb nga drejtoria.
Nëse ndonjë person fizik vlerëson se ka keqpërdorim të të dhënave personale ose shkelje të së drejtës, në raport të ligjshmërisë gjatë përpunimit të të dhënave, duhet të drejtohen në http://www.dzlp.mk/mk/prizlnlp.
Në formularë duhet të shënohet emri dhe mbiemri i kontrolluesit që ka keqpërdorur të dhënat e juaja, ose keni njohuri se ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, në Nenin 2 thotë:
“Mbrojtja e të dhënave personale i garantohet çdo personi fizik pa diskriminim të bazuar në përkatësinë e tij nacionale, racën, ngjyrën e lëkurës, bindjet fetare, përkatësinë etnike, gjininë, gjuhën, bindjet politike e të tjera, gjendjen materiale, origjinën e lindjes, arsimimin, prejardhjen sociale, shtetësinë, vendin ose llojin e qëndrimit ose cilatdo qofshin karakteristika tjera.”
Ekspertët: Po qërohen hesape politike
Profesori universitar Vlladimir Pivovarov vlerëson se hetimet mund të japin rezultate nëpërmes asaj se nga cila IP adresë janë postuar.
“Neve si qytetarë na intereson se kush i ka publikuar këto material dhe ku është qëllimi i publikimit. Kjo do të dëshmohet pas hetimeve. Për momentin e dimë se materialet e përgjimeve nga opozita i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale Publike. Nga ana tjetër numrin më të madh të “bombave” i ka pasur Ministria për Punë të Brendshme, në moment kur janë përgjuar këto telefonata. Janë shumë adresa se prej nga mund të shpërndahen. Njëra ndër mundësitë është për ta destabilizuar situatën politike dhe anulimin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, flas si supozim”, sqaron për Portalb Pivovarov.
Sipas tij, nuk është askush naiv se të gjitha materialet e përgjuara janë shkatërruar, kanë mbetur kopje nga materialet dhe të njëjtat në çdo kohë mund të përdoren.
“Megjithatë, me hetime kualitative mund të zbardhet rasti. Absolutisht, bëhet fjalë për qërime hesapesh politike. Nuk mund të ketë motiv tjetër. Por, çështja është, interes i kujt është e gjithë kjo, që të krijohet krizë dhe të shtyhen zgjedhjet.
Ai thotë se është mirë të kemi mjete preventive, por askush s’mund të sigurojë.
Sipas IT ekspertit Damjan Georgievski, për tu mbrojtur nga shkelja e privatësisë ekzistojnë teknologji për komunikim të sigurtë, por ata nuk janë shumë të qasshme për përdorim.
“Për këtë arsye edhe nuk janë shumë popullatën e gjerë. Çështja e ndjekjes masive të telekomunikimeve duhet të rregullohet me legjislacion, që ekziston te ne, dhe me mbikëqyrje të të gjithëve atyre që janë në pozicion për të kryer përgjim të tillë, siç janë kompanitë celulare, internet shpërndarësit dhe shërbimet e policisë, të cilët kanë qasje deri te kjo teknologji”, tha për Portalb Georgievski.
Reagimet e partive politike:
Nga Bashkimi Demokratikë për Integrim porosisin institucionet kompetente që ta zbardhin rastin.
“Kjo është edhe një dëshmi se i tërë procesi është komprometuar dhe i bëjmë thirrje PSP-së, Prokurorisë publike, MPB-së dhe Drejtorisë për mbrojtje të të dhënave personale, që të marrin masat e duhura për të kryer punën e tyre”, thonë nga BDI.
“Ne i dorëzuam bisedat më 30 dhjetor 2015. Për këto biseda duhet të pyesni Sasho Mijallkovin, Nikolla Gruevskin, Goran Gruevskin, se prej ku dolën?! Unë supozoj se ata kanë dy ose tri here më shumë biseda nga bisedat që ne i kishim dhe ia dorëzuam PSP-së”, ka deklaruar kreu i LSDM-së Zoran Zaev.
“Tek Zahir Beqiri Caush janë gjetur 70 mijë biseda të përgjuara të fshehura nën krevat. Në fakt u zbuluan lidhjet e Caushit me krimin jashtë kufijve të Maqedonisë. Ndërkohë, fotografitë e tij me udhëheqësinë e LSDM-së dhe krimin që ka bërë me urdhër partiak, u panë nga opinion i gjërë”, kanë potencuar nga VMRO-DPMNE.