Rikthehet “Lufta e Ftohtë”: Avionët rusë në qiejt europianë

Kur ndodh në zonën e tyre të influencës, rusët e cilësojnë si një provokim të rëndë. Edhe nëse nuk do të ishte aq e rrezikshme, mund të konsiderohej si një lojë ushtarake, që synon të vërë në provë reagimin e fuqive kundërshtare.

Por, inkursioni i dy bombarduesve strategjikë rusë me yllin e kuq në qiejt e Europës rrezikoi të krijonte një sërë problemesh për trafikun civil, duke vënë në rrezik një avion që po fluturonte nga Rejkiaviku në Stokholm, siç pohoi qeveria islandeze.

Manovrat kanë alarmuar komandën e NATO-s, me 4 vende që kanë nxituar të mobilizojnë avionët e tyre të luftës për t’ju kundërpërgjigjur kërcënimeve të mundshme. Fillimisht, 2 bombardues F-14 norvegjeze dhe më pas Typhoon-et e forcave ajrore britanike: avionë të cilët u nisën nga një bazë franceze e në fund F-18 spanjolle nga veriu i Bilbaos.

Bombarduesit rusë Tupulev 160 nuk shkelën hapësirat ajrore të vendeve të mobilizuara, por kanë kaluar shumë pranë atyre që zyrtarët ushtarakë i quajnë pikërisht zona të influencës.

Sipas mediave spanjolle, është hera e parë që avionët rusë avancojnë kaq në jug, deri në gjirin e Biskaljës e më pas në veri të Irlandës e të gadishullit skandinav. Bëhet fjalë për mjete që arrijnë deri në shpejtësinë 2200 km/h për bombardime me rreze të gjatë, ato që mund të jenë të armatosur me armë bërthamore. Ky është një tjetër sinjal i tensioneve të larta mes NATO-s dhe Rusisë dhe të asaj që është quajtur si ftohja e madhe mes Uashingtonit dhe Moskës. Inkursione të këtij lloji janë bërë mjaft të shpeshta, çka ka rikthyer në kujtesë kohën e Luftës së Ftohtë, kur fluturime të tilla kryeshin çdo javë për të vënë në provë sistemet mbrojtëse kundërshtare. / Top Channel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu