Është absurde që Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) mos të gjejë kuadër adekuat për Universitetin “Nënë Tereza” në mesin e 29 doktorëve të shkencave dhe 889 magjistrave të papunë në Maqedoni, por të kërkojë mësimdhënës nga Kosova, porosisin njohësit e çështjeve arsimore.
Problemin e mos-pasjes së kuadrit profesional në Maqedoni nuk mund ta zgjidh importi i mësimdhënësve nga shetet fqinje, por ndryshimet rrënjësore në sistemin arsimor të cilin vet MASH-i e ka krijuar vite me radhë. Sipas tyre, sistemi arsimor aktual në Maqedoni që nuk përputhet me nevojat e tregut ka shkaktuar mungesë të kuadrove të nevojshme dhe hiper-produksion të kuadrove të panevojshme.
Gjithashtu, me kuadrin joadekuat që tashmë është zgjedhur në Universitetin “Nënë Tereza”, nuk mund të pritet që të prodhohen gjenerata cilësore por do të ndodh një përsëritje dhe thellim të problemit të lartëpërmendur.
29 doktorë shkencash dhe 889 magjistra të papunë-viktimë e sistemit arsimor!
Mungon një strategji arsimore e cila do të jetë produktive për ta menjanuar kaosin që krijohet me kuadro të panevojshme. Sipas profesoreshës universitare, Ajtene Qamili nuk është e domosdoshme që secilit t’i lejohet magjistraturë në të gjitha sferat, por duhet menduar mirë strategjia e cila nuk do ti lë pa punë të diplomuarit.
“E aq më tepër që ti lejohet me një diplomë tjetër magjistratura në një sferë krejtësisht tjetër, si p.sh. një pedagog të merr biznes, një albanolog të marrë diçka nga shkencat teknike etj., sepse nuk ka logjikë. Kësjtu që 29 doktorë shkencash dhe 889 magjistra të papunë janë viktimë e sistemit arsimor.” shprehet Qamili.
Sipas ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti ndërhyrjet e partive politike në arsim e kanë prishur sistemin vite me radhë dhe kanë shndërruar universitetet në fabrika për diploma.
“Çështja e të papunëve me master e doktoratura me siguri qëndron në faktin se ata mund të jenë apartiak. Por, MASH-i i ka të gjitha mekanizmat e nevojshme për ta parandaluar këtë kaos, dhe nënçmim që i bëhet shqiptarëve por nuk ndërrmer gjë. Për fatin tonë të keq kjo klasë politike edhe në momentet kur përgatitet për ta lënë pushtetin, e dëmton indin kombëtar duke e parë universitetit vetëm si vend për punësimin e kuadrove partiake.” thotë Rushiti.
Të gjendet/krijohet kuadër vendas, në vend se të sillet kuadër nga jashtë
Në Universitetin “Nënë Tereza” jo vetëm që profesorët e përzgjedhur nuk janë adekuat por as anëtarët e komisioneve amë nuk janë të sferës përkatëse. Profilet e hapura në Universitetin “Nënë Tereza”, për të cilët kërkohet kuadër janë kryesisht profile teknike, ndërsa shumica e magjistrantëve dhe të doktoruarve në vend janë të profilizuar në shkenca shoqërore.
“Është i mirëseardhur bashkëpunimi i jashtëm, qoftë nga Shqipëria, Kosova apo kuadri maqedonas derisa të krijohet kuadër i brendshëm. Por nëse as kuadri që do të vijë nga Kosova nuk e ka profilin përkatës, atëherë mund të bëhet fjalë për çështje tjetër politike bashkëpunimi në mes ministrash, që ndoshta nuk i sjell asgjë pozitive arsimit, por partive politike.” thotë profesoresha Qamili.
Megjithatë, sipas Qamilit, zgjidhja më e mirë do të ishte që fillimisht të hapeshin vetëm 2-3 drejtime në të cilat ka pak a shumë kuadër, pastaj nga vetë universiteti të prodhohet kuadër i ri në profilet e nevojshme. Sipas saj, ekziston mundësia që të ketë pasur edhe shqiptarë që kanë diplomuar në ndonjërin nga profilet e nevojshme në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” dhe se është detyrë e Entit për punësim dhe MASH-it t’i gjejnë ato.
“Për këtë universitet është hapur konkurs publik, por sa dëgjova nuk paskan aplikuar shqiptarë dhe MASH mendon se nuk ka. Ndoshta vërtetë nuk ka. Por nëse do të kishte pasur të paktën të diplomuar në këto sfera, do të ishte mirë që këta të stimulohen, të mbahen në universitet si demonstratorë e pastaj aty të avancohen me magjistraturë e doktoraturë. Kështu do të prodhohet kuadër nga vetë universiteti.”-u shpreh Qamili.
Me kuadrin aktual, Universiteti “Nënë Tereza” nuk mund të prodhojë gjeneratë cilësore
Përderisa sipas ministrit Lutfiu, Universiteti “Nënë Tereza” po hapet për shkak të nevojës për cilësi, lind pyetja: Sa mund Universiteti “Nënë Tereza” të prodhojë gjeneratë cilësore me një kuadër joadekuat si ky që është zgjedhur?
“Nuk flas dot për nivel ose strategji, sepse nuk ka qenë fare qëllimi i themelimit të universitetit zhvillimi arsimor.”-theksoi Sulejman Rushiti.
“Cilësia nuk rregullohet në universitet, cilësia rregullohet qysh në shkolla fillore, të mesme e pastaj në universitete. Pa dyshim që ata që diplomojnë janë mësimdhënës, por nëse vijnë studentët të përgatitur mirë nga shkolla fillore dhe e mesme ata do të jenë studentë të mirë e nesër edhe mësimdhënës të mirë”-sqaroi Qamili, “Por sa për cilësinë që mund të bëhet prej mësimdhënësve jopërkatës është shumë e qartë, nuk ka nevojë edhe të analizohet, sepse dihet që nuk mund të prodhohet kuadër cilësor përderisa vetë nuk je mësimdhënës i kësaj fushe. Logjikisht nuk ka mundësi të prodhohet kuadër cilësor në nivelin që pretendohet”. shprehet Qamili, përcjell portalb.
Sipas saj, jo vetëm që profesori do të duhet të mësojë paralelisht me studentin, por mbase edhe mund të ketë rast kur studenti të jetë shumë më i përgatitur se sa profesori.
“Përgjigja është në vetë pyetjen tuaj. Aspak. Do të prodhojnë vetëm ushtarë partiak të bindur. Unë shpresoj që do të ndryshojë klima politike më shpejtë dhe të vijë një ekip që do ta rregullojë sa mē parë këtë gabim dhe të tjerët, ta reformojë në themel arsimin!”tha Rushiti.