Ambasadorja e OSBE-së në Shkup, Nina Soumajllajnen, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e ka cilësuar “procesin e pastrimit të listave zgjedhore si solide’ dhe ka thënë se janë ndërmarrë masa të duhura për garantimin e një procesi të besueshëm zgjedhor.
Soumajllajnen iu referua pastrimit të regjistrit zgjedhor si një nga pikat për të cilat zhvillohet polemika nga ana e forcave politike po dhe analistët, pas shlyerjes së 40 mijë votuesve.
“Në po të njëjtën mënyrë si njësitë zgjedhore ashtu edheregjistri zgjedhor duhet të jetë subjekt i kontrolleve të vazhdueshme. Mund të themi se janë ndërmarrë disa masa lidhur me 40 mijë votuesit të cilët u shlyen nga regjistri zgjedhor, një pjesë e të cilëve sërish u regjistruan kurse në pjesë tjetër akoma kanë mundësi për t’u regjistruar para se të mbahen zgjedhjet”.
Soumallajnen tha se zgjedhjet në Maqedoni do monitorohen nga OSBE/ODIHR, me rreth 200 deri 300 vëzhgues afatshkurtër dhe 20 deri më 30 vëzhgues afatgjatë.
Por, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë thotë se procesi zgjedhor në Maqedoni duhet të ndiqet nga një monitorim i rreptë nga ana e faktorit ndërkombëtar, sepse kësaj radhe paritë nuk garojnë vetëm për të siguruar besimin e qytetarëve dhe marrjen e pushtetit, por humbja për një pjesë të politikanëve “do të thotë përballje me drejtësinë”, pasi ndaj tyre tanimë ka ngritur padi Prokuroria Speciale Publike.
“Gjithsesi se jam i mendimit se monitorimi këtyre zgjedhjeve duhet të jetë më i përforcuar, jo vetëm nga ana e faktorit ndërkombëtar, por edhe nga ana e vëzhguesve të brendshëm. Nuk duhet harruar se faktori ndërkombëtar është ai që i jep kredibilitet procesit zgjedhor po aq sa edhe vëzhguesit e brendshëm me prezencën e tyre në çdo pikë gjatë tërë periudhës së procesit zgjedhor. Besoj se partnerët ndërkombëtar tani e kanë më të qartë se në cilat pjesë duhet të koncentrohen më shumë”.
Albert Hani nga organizata joqeveritare “Qendra për Menaxhimin e Konflikteve”, thotë se dhuna e ushtruar përmes presioneve të ndryshme psikike po edhe ajo fizike ka qenë e pranishme gjatë të gjitha proceseve zgjedhore, andaj organizata që përfaqëson është angazhuar për vetëdijësimin e qytetarëve që pa frikë dhunën ta denoncojnë në organet e sigurisë dhe drejtësisë, sepse një votë e humbur “do të thotë një shtyllë e rrënuar në sistemin e vlerave demokratike”.
“Dhuna ka qenë element përbërës pothuajse i të gjitha proceseve zgjedhore në të kaluarën, andaj si organizatë joqeveritare jemi fokusuar në vetëdijësimin e qytetarëve, mendoj votuesit se dhuna është diçka e panevojshme gjatë vendimmarrjes se kujtdo t`ia besojnë votën ose për cilin opsion politik do të votojnë”.
“Ende ekziston frika për denoncimin e rasteve kur kemi të bëjmë me ushtrimin e dhunës fizike ose asaj psikike andaj ne fokusohemi në vetëdijësimin e elektoratit për ta denoncuar, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me një votë të manipuluar në këtë rast por edhe për vendosjen e vlerave të reja demokratike në sistem”, thotë Albert Hani për REL.
Ndryshe gjatë ditës ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zbogar, në kuadër të konferencës “Metoda të Avancuara për Monitorim të financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore” ka theksuar se fushata e drejtë dhe zgjedhjet kredibile në dhjetor, janë hapi kyç drejt zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni./Telegrafi/