Nënkryetari i Parlamentit, Rafis Aliti, kritikon VMROnë se punon kundër barazisë së votës dhe në këtë rast përkrahet nga LSDM vetëm e vetëm që vota shqiptare të mos barazohet me votën maqedonase
Pas dështimit të grupit punues që të gjej zgjidhje konsensuale për rregullimin e trupit votues, asnjëra nga partitë nuk komenton se si do të veprohet më tej me këtë problematikë. As nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që ishte bartëse e nismës dhe që doli me dy propozime për balancimin e votuesve, nuk e kanë idenë se si do të arrihet zgjidhje. Dy funksionarët shtetëror që vijnë nga kjo parti, ministri i Drejtësisë Valdet Xhaferi dhe nënkryetari i Parlamentit Rafis Aliti, mbajnë qëndrime të ndryshme lidhur me këtë problem. Ministri i Drejtë- sisë Valdet Xhaferi thotë se problemi me trupin votues është duke u shqyrtuar në Parlament, duke shtuar se ministria që ai drejton nuk do të ketë propozime në këtë drejtim.
“Kjo çështje është duke u shqyrtuar në Parlament. Ministria e Drejtë- sisë nuk do të jep propozim”, përgjigjet shkurt ministrit Valdet Xhaferi, në pyetjen e gazetës KOHA nëse do të propozojë kjo ministri ndryshime të Kodit zgjedhor pas dështimit të grupit punues që të gjej zgjidhje me konsensus. Ndërkohë, edhe koordinatori Talat Xhaferi thotë shkurt se në Parlament nuk ka lëvizje tjetër nga asnjë parti për të rregulluar disbalancin e votuesve.
“Jo, nuk ka asgjë në këtë drejtim, nuk ka lëvizje tjetër nga asnjë parti politike në Parlament”, thotë Talat Xhaferi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së. Ai kohë më parë mori iniciativë parlamentare për të rregulluar trupin votues përmes propozimit të dy draft-propozime, njëri që kishte të bënte me rregullimin e tërësishëm të trupit votues, ndërsa tjetri rregullimin e vetëm të Një- sisë së 6 zgjedhore. Qëndrim të njëjtë sa i përket asaj se në ligjvënës nuk është diskutuar më për këtë çështje ka edhe nënkryetari i Parlamentit, Rafis Aliti.
“Pas mbledhjes së fundit nuk ka pasur më përpjekje mes grupeve parlamentare për të vazhduar me punë grupi punues. Unë mbetem në qëndrimin se duhet konsensus nga të gjithë partitë dhe të intervenohet në të gjitha njësitë zgjedhore. Se a mund të propozon në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë, apo se vetë partitë në pushtet do të lëvizin para shpërndarjes së Parlamentit, nuk mundem të prejudikojë prej përpara”, potencon nënkryetari i Parlamentit, Rafis Aliti. Ai kritikon VMRO-në se punon kundër barazisë së votës dhe po njëjtë akuzon edhe LSDM-në, e cila përkrah VMRO-në në këtë drejtim, vetëm e vetëm që vota shqiptare të mos llogaritet njëjtë me votën maqedonase.
“Jo rastësisht VMRO do të intervenohet vetëm në Njësinë 6, edhe atë duke insistuar që vetëm 2 mijë votues të kalojnë nga kjo njësi në Njësinë 5. Nga ana tjetër, jo rastësisht edhe LSDM përkrah këtë ide duke mbajtur qëndrimin në grupin punues se çka do të merren vesh VMRO dhe BDI për këtë problem, nuk do të kundërshtojnë. Sipas meje, partitë maqedonase kanë marrëveshje mes veti që mos të rregullohet në tërësi trupi votues, rregullim i cili do të bënte të mundur barazinë e votës mes shqiptarëve dhe etnive tjera në Maqedoni”, vlerëson Aliti. Ai thotë më tej se edhe ndërkombëtarët janë të interesuar të zgjidhet ky problem dhe të njëjtit mbajnë qëndrimin se është shkelur ligji zgjedhor. “Informacionet e mia janë se edhe ndërkombë- tarët janë në dijeni se kemi shkelje të ligjit zgjedhor, duke mos përkrahur qasjen e partive politike ndaj rregullimit të balancit të votuesve mes njësive zgjedhore”, thotë nënkryetari Aliti.
Nënkryetari i Parlamentit, Rafis Aliti, që ishte dhe udhëheqës i grupit punues, më tej shton se zgjedhje kredibile mund të kemi vetëm nëse të gjithë votuesit janë të barabartë, përfshirë edhe 30 votuesit e kontestuar të cilët sipas tij, ende janë aktiv deri kur të mbarojë shqyrtimi publik. “Nëse duam të kemi zgjedhje kredibile, demokratike dhe të pakontestuara nga askush, zgjedhje në interes të qytetarëve tanë, subjektet politike duhet të kenë qëndrim korrekt ndaj 30 mijë votuesve të kontestuar, dhe pa i përjashtuar këta votues të bëjnë ndryshime të Kodit zgjedhor. Them kështu, meqë këta votues janë aktiv deri kur të mbarojë shqyrtimi publik, andaj qëndrimet e mia janë që të intervenohet në të tri njësitë zgjedhore 3, 4 dhe 6, meqë këto njësi kanë kaluar pragun prej +5, respektivisht -5% . 30 mijë votuesit e kontestuar shumica prej tyre janë shqiptarë, posedojnë dokumentacionin e duhur për të votuar, ndërsa e drejta e votës iu garantohet me Kushtetutë. Nëse nuk punohet në këtë drejtim, votuesi shqiptar me siguri do të del i dëmtuar sepse dallimet shkojnë deri në 10 mijë votues mes njësisë 6 dhe njësisë 3 dhe 4”, theksoi Aliti.
Nga PDSH thonë se nuk pajtohen më të dy draftet e propozuara kohë më parë nga BDI, me arsyetimin se në propozimet e BDI-së në të dyja draftet bëhet fjalë për shifra të vogla të kalimit të votuesve nga një njësi zgjedhore në tjetrën. “Propozimet e BDI-së nuk mundësojnë zgjidhje afatgjate ngaqë përsëri pas kë- tyre zgjedhjeve do të kemi të njëjtat probleme me rritjen, përkatësisht zvogëlimin e trupit votues në njësitë 6, 3 dhe 4. Po ta ketë seriozisht BDI zgjedhjen e këtij problemi, nuk do të propozonte ulje të vogla të trupit votues në Njësinë 6 dhe rritje po ashtu të vogla të njësive 3 dhe 4 që përsëri janë afër pragut 5%”, thonë deputetë të PDSH-së në Parlament me kusht anonimiteti.
Mbetet të shihet deri në shpërndarjen e Parlamentit më 12 tetor nëse BDI do të vë në veprim draftin dytë që ka të bëjë vetëm me Njësinë e 6 zgjedhore, propozim që në parim e përkrah partneri i saj qeveritar VMRO, por dhe që kanë votat për të bërë ndryshime të Kodit zgjedhor. Ajo që i dallon këto parti nuk janë vendbanimet, por numri i votuesve. VMRO vazhdon të pretendojë se nga Njësia 6 në njësitë tjera duhet të kalojën vetëm 2 mijë votues aq sa thotë ka kaluar kjo njësi pragun prej 5 %, sipas listës së KSHZ që nuk përfshinë edhe 30 mijë votuesit e kontestuar. Nga grupi parlamentar i kësaj partie përsërisin qëndrimin e koordinatorit të tyre Ilija Dimovski se nuk është e nevojshme të kalohet numri i dhënë nga KSHZ prej rreth 2 mijë votuesve që ka tepër Njësia 6. “Kodi e kufizon dallimin prej minus dhe plus 5% që duhet të jetë mes njësive zgjedhore. Është e panevojshme të rritet numri prej 2 mijë votuesve, sepse në këtë kohë për aq ka kaluar plusin Njësia 6. Për zgjedhjet tjera duhet të intervenohet po aq sa do të konstatojë kalimin e pragut vetë KSHZ”, thonë deputetë nga grupi parlamentar i VMRO-së, gjithashtu me kusht anonimiteti./KOHA/