Vetëm disa ditë pasi Banka Botërore alaramoi se madje 89% e vendeve të reja të punës janë me ndihmë shtetërore, një pjesë e funksionarëve qeveritarë të VMRO-DPMNE-së publikuan masa të reja – mu për subvencionime të reja nga buxheti. Sipas një pjese të ekonomistëve, politikat e këtilla që promovohen me qëllim të zvogëlimit të papunësisë, praktikisht nga ana tjetër tregojnë se sektori privat nuk është në gjendje të mirë financiare, shkruan Portalb.
Vetëm 11% e vendeve të reja të punës – të financuara nga firmat!
Informata e Bankës Botërore sipas të cilës 89% e vendeve të reja të punës janë të subvencionuara me para nga buxheti, sipas një pjese të ekonomistëve hap çështje serioze – a do të thotë kjo se sektori privat nuk ka para “të freskëta” për vende të reja të punës, deri kur buxheti do të mund ta durojë këtë ngarkesë për financimin e kontributeve dhe format e tjera të mbështetjes për të sapopunësuarit dhe sa janë të qëndrueshme vendet e këtilla të punës?
“Ekonomia reale është në kondicion të dobët. Në mes tjerash, dëshmi për pohimin e këtillë është edhe informata e BB-së se vetëm 11% e të gjitha punësimeve të reja janë ngarkesë që mbulohet në tërësi nga kompanitë, ndërsa të gjitha punësimet e reja në pjesën e të dhënave publike i nënshtrohen stimulimit fiskal”, thotë ekonomisti Pavle Gacov.
Ajo që e brengos Bankën Botërore është pikërisht informata se numri më i madh i vendeve të reja të punës janë të subvencionuara nga shteti.
“Mund të shihet se praktikisht 89 për qind e vendeve të reja të punës janë me stimul fiskal. Kjo, kur të merret parasysh fakti se vendet e punës që krijohen, ku punëdhënësi është i liruar nga pagesa e kontributeve sociale dhe të dhënave të ngjashme. Nga ana tjetër, kjo krijon presion në afat të mesëm, dhe këtu para së gjithash mendohet në presionet mbi Fondin për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë (FSPIM)”, deklaroi Bojan Shimov, analist i Bankës Botërore, transmeton Portalb.
Gjendja e këtillë me të cilën rritja e numrit të punësimeve është kryesisht si rezultat i subvencionimit të vendeve të punës nga ana e shtetit, sipas vlerësimeve dhe analizave të Bankës Botërore, krijon probleme serioze edhe në qëndrueshmërinë e Fondit për sigurim pensional, i cili gjithnjë e më shumë bëhet i varur nga paratë që ia transferon shteti që të mund t’i paguajë pensionet.
“Informata se pothuajse 9 të dhjetat e të punësuarve të rinj janë të sponsoruar nga shteti e devalvon numrin për rënien e papunësisë në përqindjen prej 24%. Me këtë masë, punëdhënësit nuk kanë shpenzime për kontributet sociale (27% të rrogës bruto), mirëpo, poashtu nën kushte të caktuara janë të liruar edhe nga tatimi personal në të ardhura, i cili llogaritet nga rroga bruto i zvogëluar për kontributet dhe për lirimin individual, duke zbatuar përqindjen prej 10%. Lirimi nga tatimi personal zgjat tre vjet, ndërsa lirimi nga kontributet zgjat edhe deri në 5 vjet. Pas përfundimit të stimulimit fiskal, punëdhënësi ka për obigim që këta të punësuar t’i mbajë në marrëdhënie pune edhe një periudhë të caktuar kohore (12 muaj) dhe për ta t’i paguajë të dhënat publike në shumë të plotë” – thotë analisti ekonomik Gacov.
Në ueb-faqen zyrtare të Agjencisë për punësim janë promovuar rreth njëmbëdhjetë programe të ndryshme për punësim, vetëpunësim, kreditim të bizneseve të reja dhe edukime me të cilat targetohen personat e papunësuar.
Kështu, për shembull, për hapjen e vendeve të reja të punës në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipas Planit operativ për këtë vit janë planifikuar 300 mijë euro.
Këtë vit, vetëm për Programin për vetëpunësim, nëpërmjet të të cilit mbështeten personat e papunësuar për të hapur biznese të veta, sipas Planit operativ janë ndarë pothuajse 3,4 milionë euro me të cilat duhet mbështeten 970 njerëz. Nëpërmjet këtij programi, të papunësuarit marrin nga 3.278 еuro ndihmë të pakthyeshme dhe mjete plotësuese nëse punësojnë edhe njerëz të tjerë në biznesin e posahapur.
Njëri nga programet për të cilin këtë vit është planifikuar sasi më e madhe e parave shtetërore është ai për punësimin e të rinjve të moshës deri në 29 vjet.
“Të mbështeten të rinjtë e papunësuar për të themeluar firma të veta, për ta formalizuar veprimtarinë ekzistuese (joformale) dhe për të krijuar vende plotësuese të punës” – thuhet në planin e sivjemë oprativ. Ky program targeton 5.000 të rinj të papunësuar nga evidenca e kërkuesve aktivë të punës në APRM. Mjetet e nevojshme për realizimin e kësaj mase janë rreth 4,76 milionë euro nga buxheti.
Nëpërmjet ndryshimeve ligjore, e me kategori të targetuara të qytetarëve, qeveria gjatë viteve të kaluara promovoi masa të ndryshme nëpërmjet të të cilave, me ndihmë shtetërore stimuloheshin vende të reja të punës. Baza e këtyre politikave është e përfshirë në Planin operativ për punësim, i cili këtë vit kap vlerën prej 11,5 milionë eurosh dhe duhet të përfshijë 13.500 njerëz.
Vetëm disa ditë pasi Banka Botërore e përmendi subvencionimin e punësimeve, një pjesë e funksionarëve qeveritarë të VMRO-DPMNE-së publikuan se fillojnë masat e reja për ndarjen e ndihmës shtetërore.
“Fillon thirrja e dytë për 2 masa të reja, për hapjen e vendeve të reja të punës në kompanitë ekzistuese për të rinjtë e moshës deri në 29 vjet. Bëhet fjalë për kreditim për vetëpunësim të të rinjve të moshës deri në 29 vjet, si dhe për kreditim për hapjen e vendeve të reja të punës në kompanitë ekzistuese për të rinjtë e moshës deri në 29 vjet. Kompanitë që duan të punësojnë të rinj të moshës deri në 29 vjet, mund të shfrytëzojnë nga 4.000 euro për vend të ri pune” – njoftoi zëvendës-ministri plotësues për punë dhe politikë sociale, Dime Spasov.
Sipas ekonomistëve, qëndrueshmëria e politikave të këtilla do të shihet pas kalimit të periudhës së stimulimit shtetëror dhe periudhës së detyrueshme ligjore për mospërjashtimin e këtyre punëtorëve nga puna, gjegjësisht çështje kyçe do të jetë ajo se sa nga ta punësuarit nëpërmjet këtyre masave do të mbesin në punë, mirëpo tani të financuar krejtësisht nga vetë kompanitë./Portalb.mk