Policia e Vlorës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim për vjedhjen e shtëpisë së një shtetasi amerikan në 2015-ën, Ledjon Hamitin, 21 vjeç, banues në Vlorë si dhe bashkëpunëtorin e tij, Florjan Janku, 27 vjeç nga Vlora. Për këtë vjedhje ishte arrestuar më parë, një bashkëpunëtor i i tretë A.M më parë.
Pas arrestimit të “shefit”, u zbulua edhe baza ku profesionistët e vjedhjes fshihnin veglat e “punës” si dhe arsenali i pasur, që i ka habitur jo pak policët. Arsenali i hajdutëve përmbante pajisje eksplozive për rastet e vështira krahas çengelëve, litarëve, kaçavidave të të gjitha llojeve, kapëseve metalike etj.
Policia njoftoi se “arrestimi i Hamitit u krye për arsye se, gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë në lagjen “Lirimi” në pronësi të shtetasit Gj.Y, i cili jeton në Greqi dhe e kishte lënë në ruajtjen e të arrestuarit tjetër, Florjan Janku, Policia ka gjetur një bazë të gjerë materialesh dhe mjete të posacme që i përkisnin Ledion Hamitit dhe përdoreshin nga të dy për të realizuar vjedhjet e banesave.”
Ndër materialet e sekuestruara, janë:
– 2 granata difensive
– 2 ndezës granatash
– 38 fishekë të kalibrit 7.62 mm
– 1 silenciator pistolete
– 1 qese e vogël me lëndë eksplozive
– 2 pinca të mëdha prej hekuri për prerjen e metaleve
– 2 litarë, njëri prejt tyre i përbëre me nyje dhe ganxhë prej hekuri për vjedhjen e banesave me kate
– 1 pajisje metalike për hapjen e dyerve
– levë, kaçavida, doreza, çanta etj.
Ledjon Hamiti është person me precedent penal të mëparshëm pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se është dënuar disa herë në fushën e vjedhjeve.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas mund të jenë autorë të disa vjedhjeve të tjera të kryera në qytetin e Vlorës, për të cilat Policia po punon për dokumentimin e plotë të tyre.