Themelimi i Universitetit “Nënë Tereza” është demagogji politike, respektivisht marketingu politik parazgjedhor i partisë në pushtet, thonë partitë politike opozitare. Në fakt nuk është bërë ndonjë hulumtim që do të shpiente në përfundimin se është i nevojshëm themelimi i një universiteti të ri. Sepse në terren dëshmohet se ka mungesë të studentëve që do të studjojnë në këtë universitet, kuadrit që do të ligjerojë dhe një objekti të veçantë, ku do të realizohet viti akademik, kushte këto bazë për funksionimin e një universiteti, shkruan analiza e Portalb.mk dhe NovaTV.
Nuk ka numër të mjaftueshëm të studentëve
Ndërkohë që konkursi ofron 1220 vende për regjistrimin e studentëve në vitin e parë, siç njoftoi Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, deri tani kanë aplikuar 157 kandidatë.
Sot fillon regjistrimi. Por, lind pyetja “Kush tjetër do të regjistrohet?”
Viti akademik në të gjitha universitetet tjera në Republikën e Maqedonisë ka filluar më 15 shtator. Madje kanë përfunduar të gjitha afatet për regjistrim të studentëve të rinj në to.
Kështu, në Universitetin Shtetëror të Tetovës janë regjistruar rreth 3000 studentë, rreth 350 prej të cilëve shtetas të huaj, informuan nga Zyra për arsim, Ibrahim Neziri.
Në Universitetin e Evropës Juglindore janë regjistruar 1230 studentë, 90% e të cilëve nga Maqedonia dhe pjesa tjetër e studentëve nga Kosova, Shqipëria dhe studentë të huaj, konfirmoi këshilltari i Rektorit të UEJL, Demush Bajrami.
Nga Zyra e shërbimit studentor të Universiteti Ballkanik, Emel Rushid njoftoi “Numri i përgjithshëm i studentëve të Universitetitit Ballkanik për vitin akademik 2016/2017 deri në këtë moment është 1069, prej të cilëve shqiptarë të Maqedonisë janë gjithsej 386 studentë.”
Numri i nxënësve shqiptarë që e kanë kaluar maturën shtetërore është rreth 5500, respektivisht 5690. Ashtuqë në afatin e qershorit maturën shtetërore e kanë kaluar 5,424 nxënës. Ndërsa në afatin e gushtit kanë hyrë 266.
Kur të zbritet shifra e studentëve të regjistruar (të mirret parasysh edhe fakti se studentë shqiptarë janë regjistruar në universitete tjera shtetërore e private, që nuk janë kalkuluar më lartë) nga shifra e nxënësve që kanë kryer maturën, ajo që nënkuptohet është: Nuk ka më kush të regjistrohet në universitetin e ri.
Në pyetjen e gazetares nëse paraprakisht është bërë ndonjë hulumtim, që të arrihet konkluzioni se ka nevojë edhe për një universitet të ri në gjuhën shqipe, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu deklaroi:
“Po përderisa e kemi hedhur si ide themelimin e këtillë, besoj se ka nevojë më tepër për një arsim cilësor. Konkretisht ndoshta është bërë ndonjë hulumtim. Po e përsëris se ne kemi më tepër nevojë për një arsim cilësor.”
“Deri më tani janë paraqitur diku mbi 150 studentë. Presim që ky numër në vazhdim të rritet dhe besoj se do të ketë mjaftë studentë”-tha ministri Lutfiu, duke aluduar edhe në premtimin e Kosovës që të sjellë studentë prej atje për të studjuar në Universitetin “Nënë Tereza”.
Kuadri është joadekuat
Konkursi i shpallur për staf akademik, parasheh 84 vende pune, që do të thotë 5 fakultete dhe 14 programe. Sipas Alsat-M, kjo është pasqyra e stafit akademik:
Aziz Pollozhani– profesor ordinar në lëmin e nutricionizmit dhe rektor i Universitetit
(I diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, ka specializuar në Zagreb, doktoroi në menaxhim shëndetësor);
Bistra Netkova– profesor inordinar në lëmin Komunikim i punës në Fakultetin e Shkencave Teknologjike
(E doktoruar në Shkenca juridike);
Rizvan Sulejmani– profesor inordinar në lëminë e Sitemeve Politike Bashkohore
(I diplomuar për Inxhinieri elektrike, doktoruar në Shkenca politike- Integrime europiane dhe shqoëritë fragmentare);
Agron Kurtishi– profesor i Politikës sociale
(I doktoruar në fushën e shkencave të komunikimit dhe informacionit në Universitetin e Sofjes, ka magjistruar në Gjermani në fushën e Shkencave të mediave dhe komunikimit ndërkulturor);
Fati Iseni– docent në lëmin e zhvillimit social
(I diplomuar në Histori Bashkëkohore në Universitetin e Prishtinës, doktoroi në Institutin e Studimeve Evropiane në Tiranë në temën “Rrethanat politike – shoqërore të shqiptarëve në Maqedoni 1989-2001”);
Kaltrina Zekolli Shaqiri– asistent-doktorant në lëminë e Shkencave Politike
(Juriste e magjistruar dhe po doktoron në lëminë juridike)
Zgjedhjet e këtilla janë bërë në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Lartë i cili parashikon që në thirrjet mësimore asistent- doktorant, docent dhe profesor inordinar e ordinar mund të zgjidhet personi i cili ka shkallën përkatëse magjistër ose doktor shkence nga fusha shkencore në të cilën zgjidhet.
Sipas ekspertëve, përveç mos-përzgjedhjen adekuate të Stafit Akademik, vetë anëtarët e komisioneve amë, nuk kanë përgatitjen e duhur akademike për pozitën e tyre.
Anëtarët e Komisionit amë për Fakultetin e arkitekturës dhe ndërtimtarisë janë:
Dr.Katarina Devalieva – Bioteknologji molekurale
Dr. Asllan Bilalli, Jurist
Dr. Andreas Gross
Anëtarët e Komisionit amë për Fakulteti i Shkencave Teknologjike janë:
Dr. Murtezan Ismaili, Doktor i Biokimisë dhe Mjedisit
Dr. Aleksandar Klimovski, Jurist
Dr. Andreas Schonberg
Anëtarët e Komisionit amë për Fakulteti i shkencave teknike janë:
Dr. Dennis Farringon, Doktor i filozofisë dhe jurist
Dr. Atanas Koçov, Fakulteti i Makinerisë
Dr. Argjend Ramadani, Teknologjia e inxhinierisë
Ministri për Arsim dhe Shkencë, Pishtar Lutfiu në takimin që pati dje me homologun e tij kosovar, Arsim Bajrami theksoi jo vetëm mungesën e studentëve, por edhe atë të kuadrit. Ashtu që Bajrami premtoi se Kosova do ta ndihmojë Universitetin “Nënë Tereza” me kuadër. Kjo pavarësisht se Maqedonia ka 29 doktorë shkencash dhe 889 magjistra të papunësuar.
Nuk ka objekt e as financa të mjaftueshme
Universitetit Nëna Terezë i është ndarë toka e kazermës “Ilinden”, por nuk i është ndarë shuma e nevojshme financiare për ndërtimin e objektit. Në vend të objektit hapësira në fjalë po shndërrohet në deponi të egër mbeturinash.
Kështu Universiteti “Nënë Tereza” gjeti “konakun” në objektin e Universitetit të Evropës Juglindore. Megjithatë urgjenca për të filluar me punë Universiteti “Nënë Tereza” nuk e arsyeton uzurpimin e një universiteti tjetër, për arsye se një gjë e tillë do të krijonte anarki në të dy institucionet e larta arsimore.
Për më tepër, buxheti që qeveria ndau për universitetin është i pamjaftueshëm: me aq para universiteti nuk do të mund të funksionojë. Buxheti i universitetit për vitin akademik 2016-2017 do të jetë vetëm 10 milion denarë.
Ndërkohë që Universiteti i Shtipit dhe Manastirit do të marrin rreth 251.5 milion denarë.
Por, sipas Ministrit Lutfiu në buxhetin e vitit të ardhshëm janë parashikuar edhe 80 milionë denarë tjera.
Se nuk ka nevojë për hapjen e universitetit flasin argumentet e shtjelluara më lartë. Megjithatë në pyetjen e gazetares
“Pasi nuk ka numër të mjaftueshëm të studentëve e as kuadër dhe pasi Universiteti “Nënë Tereza” veçmë është vonuar për këtë vit a nuk është më mirë që të shtyhet për vitin tjetër të fillojë me punë?” ministri Lutfiu me përgjigjigje:
“Universiteti “Nënë Tereza” tashmë ka filluar dhe ky është një proces i pakthyeshëm. Stafi akademik veçmë është themeluar, ndihma e Kosovës nuk mungon dhe besoj se do t’ia dalim”. /Telegrafi/