Politika po shkatërron arsimin në Maqedoni

Të mos kemi frikë nga i dituri, as nga i padituri sepse nuk bëjnë dëm në shoqëri, por të kemi frikë nga gjysmë i dituri që shkatërron shoqërinë…

Kur një kardinal francez po kalonte me karrocë, i doli përpara një qerre me qe dhe i zuri rrugën. Sado që karrocieri i kardinalit i thotë disa herë të zotit të qerres t’ia lëshojë rrugën, fshatari nuk i vë veshin dhe vijon rrugën e tij. Për këtë zemërohet kardinali, nxjerr kokën nga karroca dhe duke parë se fshatari ishte i trashë e i shëndoshë, i tha:
“Biri im, ti e ke ushqyer shumë veten tënde, por pak e ke edukuar.”

Fshatari, me të dëgjuar këto fjalë, u përgjigj:
“Pasi veten tonë e ushqejmë vetë, në këtë pikë s’kemi ndonjë gabim. Sa për edukatën-arsimimin, po qe mangët, faji nuk është yni, sepse edukimi ynë është në duart tuaja”.

Monteskje argumentonte se të metat nuk janë pjesë e natyrës njerëzore, por problemet lindin kur njeriu integrohet në shoqëri. Kurse Hobbsi argumentonte se njeriu si qenie ka karakter të butë dhe të logjikshme në veprimet e tij, por pushteti dhe interesi është ai që e bën të pamëshirshëm dhe të egër. Pikërisht për të kapërcyer këta të meta në shoqëri, arsimimi është domosdoshmëri pasi ai e përgatitë njeriun për jetën shoqërore, e përgatitë për një ardhmëri të shëndoshë dhe plotë vlera (kuptimi i fshatarit).

Arsimi dhe shoqëria janë dy terme të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, të pandashme dhe në veprimin e tyre janë si “vëllezërit sijamezë”, ku në raste të veçanta, në rast se sëmuret njëri e shëron tjetri ose e thënë në gjuhën popullore “Njëra dorë lanë tjetrën, të dyja pastrojnë fytyrën”.

Kjo lidhshmëri e pandashme e veprimit të këtyre dy termeve është evidente në shtetet evropiane. Ky zhvillimi shoqëror është i lidhur ngushtë dhe në artizanatet e ndryshme, ku shoqëria është e aftë dhe ta gjejë vetveten në hapat e mëtutjeshme të evoluimit të saj.

Çabej ngrinte një problem tjetër pikërisht për arsimin dhe artizanatet e ndryshme shoqërore. Në një ligjëratë përpara studentëve ai ligjëroi mbi arsimin dhe theksoi “Ju (studentë) do të bëheni mësuesë, ju do të bëheni arsimtarë, ju do të bëheni profesorë. Mësuesia nuk është profesion por një mision i pandalshëm shoqëror. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, studentët, janë të pakorrigjueshme.”

Edhe pse ndërtimi i një shoqërie ngrihet mbi bazat e edukimit dhe arsimit (siç thotë dhe E. Çabej), në Maqedoni ky kontekst ka marrë kuptimin e kundërt. Këtu veprimi shoqëror ngrihet mbi bazat e politikës, ku politika si kuptim merr konotacion të pa definuar dhe përdoret mbi bazat e veprimit individual dhe jo kolektivë, mbi bazat e anarkisë shoqërore, mbi bazat e nepotizmit, mbi bazat e antagonizmit, mbi bazat e nihilizmit.

Kuptimi i termit të politikës në forma të interesit e zbehë ose e zhvesh atë dhe nga përgjegjësit e veprimit si një art i të mirës së qytetarit, si një veprimtarie kolektive. Padyshim që shoqëritë e ngritura politikën e kuptojnë si një retorikë me përgjegjësi. Këtë e argumentonte dhe Sokrati, i cili kur e pyeti Grogiusin se a është mjekësia retorikë, Grogiusi i tha “Po, por ka përgjegjësi, po politika, është vetëm”.
“Po përgjegjësi mbi ndërtimin shoqërorë a e mban termi politikë?” ia ktheu Sokrati.
 “Po” iu përgjigj Grogiusi.

Prandaj, dhe shoqëritë e ngritura e të zhvilluara politikën e kuptojnë si një përgjegjësi për ngritjen e tyre dhe assesi një gërshetim për interesa individuale.

Politizimi i skajshëm arsimor padyshim që e shpie shoqërinë tonë drejt një gremine të pafundme dhe drejt një regresi të madh dhe pa vlera. Ky politizimi arsimor detyron shoqërinë respektivisht rininë tonë në masë të madhe drejt shoqërive më të zhvilluara, drejt shoqërive që arsimin e shohin si një shtyllë të zhvillimit shoqëror.

Është shumë e rrezikshme të jesh i drejtë, kur qeverisesh nga njerëz të padrejtë! Është shumë e vështirë të kesh një shoqëri të ngritur, kur ti udhëhiqesh nga gjysmë të shkolluar, nga njerëz recidivistë, të epshëm për pushtet dhe për prodhim të antivlerës! Prandaj dhe përgjegjësia e kardinalëve shqiptarë është e verbër dhe antagoniste…


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu