Nga: Xhevdet Pozhari
Një proverbë e vjetër thotë se kur dhelprës iu dogj bishti, kujtoi se u kall dynjaja. Veprimet e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kohëve të fundit kanë nisur të ngjajnë në dhelpri të cilat e kanë një kosto. Kosto të lartë të cilën e paguan për karrigen e kryeministrit. Haradinaj vazhdon ta barazojë fatin e Kosovës me fatin e tij. Vepron sipas mendësisë së politikanëve që e kanë humbur kontaktin me realitetin: se Kosova është mirë veç nëse udhëhiqet nga ai!
I udhëhequr nga një mendësi tipike e politikanëve ballkanik, Ramush Haradinaj me veprimet e tij të fundit ka ngjallur shumë reagime. Veçanërisht, ka zemëruar shtetet aleate. Qeveria e Haradinajt nga dita në ditë po dëshmohet e pafuqishme në arnenën ndërkombëtare. Derisa vazhdon të rritet numri i shteteve që bien nën ndikimin e lobimit serb për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, njohja e shtetësisë së saj ka stagnuar prej moti. Haradinaj ka fajësuar lobimin agresiv të Serbisë, thuajse ajo – e jo qeveria e Kosovës – do të duhej të lobonte pro. Sikur kjo të mos mjaftojë, Haradinaj acaroi marrëdhëniet me një varg shtetesh që ishin përkrahëse të shtetësisë së Kosovës.
E nisi me Turqinë. Deshti t’ia tregojë muskujt Erdoganit. Vazhdoi me Mogherinin, iu mbyllën dyert me Bashkimit Evropian. U thirr në emër të legjitimitetit të tij për ta përfaqësuar popullin e Kosovës si kryeministër… kryeministër me 7-8 deputetë, aq sa është pesha reale e tij politike. Tani, rendi i erdhi Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Taksa ndaj produkteve serbe është bërë mollë sherri. Dhe, Haradinaj më mirë se askush tjetër e din se herët a vonë do të duhet të lëshojë pe. Jo shkaku i grevave pothuajse në secilin sektorë që janë duke vluar në vend, as shkaku i mosvotimit eventual të buxhetit, por ngaqë zgjidhje tjetër nuk ka. Sidomos jo në një shtet që boshatiset në vazhdimësi tashmë jo vetëm nga të rinjët.
Haradinaj e din si askush tjetër se nëse hiqet taksa, ai nuk ka as pse del në zgjedhje më! Penzionohet para kohe. Ndodhet para një situate “hyp se të vrava, zbrit se të mbyta”! Dhe, merita për këtë ka edhe partneri i madh i koalicionit – PDK. Por, këto metoda kjo parti i ka praktikuar në vazhdimësi ndaj partnerëve të saj. Është në natyrën e saj të mbijetojë politkisht jo shkaku i meritave, por duke i dobësuar kundërshtarët politik me të cilët, ndonjëherë, ndanë interesa të përbashkëta veç për aq kohë sa asaj i shkon për shtati.
Një dëshmi tjetër se kjo këmbëngulje e Haradinajt për taksën nuk bëhet për të mirën e përgjithshme, por për fatin e tij politik, është votimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Asokohe nuk pati lënë gurë pa lëvizur derisa u ul në kultukun e kryeministrit.
Dhe, përfundimisht qeverisja e tij nuk mund të reduktohet vetëm në fuqizimin e taksës. Vendi vazhdon të jetë i izoluar. Numri i zv/ministrave vazhdon të rritet e të “pasurohet” edhe me zv/ministra kriminelë, shpërndahen fonde për tragjeditë e familjeve funksionarësh… dhe krejt kjo sjellje e tij me 7-8 deputetë.
Andaj, dikush duhet t’i thotë; kryeministër, kjo nuk është lavdi, por tragji-komedi. Kjo qeveri duhet të bjerë një orë e më parë!