Në kuadër të haxhit tashmë 41 vjet me radhë organizohet e a.q. Konferenca e Madhe Vjetore e Haxhit, që paraqet një version të kongresit të myslimanëve nga gjithë bota. Organizator i kësaj konference është Ministria e Haxhit dhe Umres e Arabisë Saudite, ndërsa drejtor i përgjithshëm i saj është Dr. Hisham el-Abas
Haxhi është shtylla e pestë e fesë islame. Ai kryhet një herë në vit, kur miliona besimtarë myslimanë e vizitojnë qytetin e shenjtë, Mekën dhe rrotullohen nga shtatë herë rreth faltores së parë në tokë, Qabesë. Ajo është një ndërtesë e zezë, që fillimisht është ndërtuar nga Ibrahimi (a.s.) dhe Ismaili (a.s.), por ka pësuar disa herë rinovime dhe meremetime, ndërsa zgjerimi dhe shtrirja e saj vazhdon edhe në ditët tona, kjo për arsye se nga viti në vit rritet numri i vizitorëve në të (këtë vit haxhin e kanë kryer rreth tre milionë besimtarë myslimanë). Që ky organizim të kalojë në mënyrën më të mirë, Mbretëria e Arabisë Saudite, ka ngritur një organizim të madh, duke angazhuar mijëra mjekë, ambulanca, rreth 60 mijë policë etj. Ndërkaq, meqë ajo është gjithnjë e më e ngushtë për t’i pranuar hanxhinjtë e shumtë nga gjithë bota, vazhdon projekti për zgjerimin e saj. Për këtë arsye janë rrënuar qindra hotele , dyqane e ndërtesa të tjera. Pas përfundimit të këtij projekti, haxhinjtë që do të dalin nga Qabeja do ta kenë shumë të lehtë me tren të shkojë drejt Arafatit, Muzdelifes dhe Minas, por edhe që të rikthehen në Qabe. Aktualisht Mekka mund të pranojë deri në 3 milionë haxhinj njëkohësisht, ndërsa pas përfundimit të projektit kapaciteti do të arrijë një 10 milionë haxhinjë përnjëherë. Në kuadër të projektit për zgjerim do të ndërtohet një aeroport pikërisht afër Mekes, do të bëhet një hekurudhë ndërmjet Mekës dhe Medines, një hekurudhë Mina-Muzdelife-Arefat, si dhe një metro e qytetit. Gjithë ky projekt për zgjerimin e Qabes duhet të përfundojë deri në vitin 2020, ndërsa do të kushtojë diku rreth 50 miliardë dollarë.
Ai që kujdeset për gjithë projekt gjigand është pikërisht Mbreti Selman bin Abdulaziz al-Saud (i lindur më 1935). Ai u ngjit në fron më 23 janar 2015, pas vdekjes së vëllait të tij, Mbretit Abdullah. Për shkak se ai kujdeset për dy faltoret e shenjta të Mekës dhe Medines, Mbreti Selman e ka edhe titullin Kujdestari i Dy Haremeve (Hadimul Haramejn). Ardhja e tij në detyrë shihet si një risi e veçantë për shtetin saudit, ngase falë përkushtimit që ka ai për organizimin e haxhit, sivjet gjatë këtij riti islam nuk u shënua as edhe një incident. Nga detyra e ministrit të Mbrojtjes (më parë pesë dekada të tëra ka shërbyer si guvernator i Provincës së Rijadit), Mbreti Selman erdhi në fron në momentin vendimtar për shtetin arab – ai e riorganizoi kabinetin qeverisës dhe me shumë vendosmëri e vazhdon luftën kundër ISIS-it dhe formave të tjera të ekstremizmit në rajon.
Në kuadër të haxhit tashmë 41 vjet me radhë organizohet e a.q. Konferenca e Madhe Vjetore e Haxhit, që paraqet një version të kongresit të myslimanëve nga gjithë bota. Organizator i kësaj konference është Ministria e Haxhit dhe Umres e Arabisë Saudite, ndërsa drejtor i përgjithshëm i saj është Dr. Hisham el-Abas. Në konferencën e sivjetme, ku morën pjesë më shumë se 160 përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës, kishte përfaqësues edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia. Prej Maqedonie ishte Dr. Adnan Ismaili, profesor universitar në Universitetin e Tetovës dhe drejtor i SHB “Logos-A”. Ai për gazetën “Koha” deklaroi se “përveç qasjes ndaj haxhit, si Kongresi gjithëbotëror islam, lirisht mund të themi se konferenca është tubimi më i rëndësishëm i botës myslimane, që ka për qëllim informimin e ndërsjellë të gjendjes së myslimanëve në botë, por edhe për gjetjen e mënyrave më të mira të bashkëjetesës së tyre me fqinjët e tyre të religjioneve dhe besimeve të tjera.” Sivjet konferenca i zhvilloi punimet më 4-6 shtator 2016, ndërsa tema qendrore saj ishte “E kaluara dhe e tashmja e haxhit”. Gjithë kjo realizohet në kuadër të mega-projektit saudit “Vizioni 2030”./Koha/