Han në Shkup, do të inspektojë se a janë përmbushur kushtet për zgjedhjet e 11 dhjetorit

Eurokomisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, sot do të qëndrojë në Shkup, ku sipas pas paralajmërimeve është paraparë që të takohet me katër liderët e partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, me kryeministrin Emil Dimitriev, me prokuroren speciale, Katica Janeva, por edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile, njofton Portalb.

Për dallim nga takimet e mëparshme, është interesante se këtë herë do të bisedohet me persona për të cilët ka akuza efektive, në procedurë gjyqësore, me prokurorin i cili i ndjek, liderë politikë të cilët janë ose kanë qenë në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe me përfaqësues të organizatave joqeveritare për të cilët po kryhen procedura gjyqësore, ndaj të cilëve kallëzime penale dhe disa të tjerëve u janë shqiptuar dënime.

Qëllimi i vizitës, siç theksohet në kumtesën e Komisionit Evropian, është që të bëhet kontroll në ndodhitë politike dhe të diskutohet për rrugën përpara, veçanërisht në lidhje me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor, si dhe zbatimin e Prioriteteve të ardhshme reformuese.

Përndryshe, Han dje dërgoi porosi se është “me rëndësi që kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme të realizohen”.

“Marrëveshja e arritur gjatë verës së kaluar nga ana e të gjitha partive kryesore politike dhe caktimi i datës së zgjedhjeve për këtë dhjetor është një hap i mirë. Megjithatë, ky është fillimi, me rëndësi është që kushtet e zgjedhjeve të besueshme të realizohen plotësisht dhe qytetarët të mund lirshëm të marrin pjesë në to”, tha Han.

Han në Maqedoni për të ‘mbrojtur’ PSP-në nga kthetrat e pushtetit

Përderisa partitë në pushtet bëjnë çmos që të pengojnë PSP-në, Han vjen për t’i siguruar punë të pandalshme prokurorisë në fjalë sepse si që lajmëron opozitarja LSDM vetëm në atë rast do të mund të mbahen zgjedhjet. Kështu për Portalb.mk e vlerësojnë njohësit e çështjeve të politikës së jashtme, vizitën e euro-komisarit.

Sipas Malevskit dhe ish deputetit Ismet Ramadanit refuzimi i ligjeve që PSP i propozoi në Parlament (atë për zgjatjen e afatit për hetime dhe ndryshimin e Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve) paraqet një obstruksion serioz për punën e mëtutjeshme të PSP-së dhe njëherit zbatimit të Marrëveshjeve të Përzhinos. Kjo nxiti reagimin e faktorit ndërkombëtar, si reagimet e ambasadave ashtu edhe vizitën e Hanit.

Të mërkuren kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, njoftoi se pika për shpërndarjen e Kuvendit do të vendoset në rend dite të 17 tetorit, menjëherë pas pikës për miratimit të Buxhetit për vitin 2017. Ashtu siç tha Veljanovski, afatet ligjore, lejojnë që ky akt të bëhet edhe më 17 tetor, që të mund të mbahen zgjedhjet më 11 dhjetor. /Portalb


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu