Kur jeni i pasur dhe i famshëm, nuk keni nevojë që të lodheni shumë për të bërë për vete një vajzë dhe Gerard Pique është dëshmi për këtë gjë. Mbrojtësi i Barcelonës ka bërë publike bisedën që “shkriu akujt” me Shakirën, që më vonë do të bëhej bashkëshortja e tij.
“Për herë të parë Shakirën e takova në Madrid në xhirimet për klipin e këngës ‘Waka Waka’ përpara Botërorit të 2010-s dhe aty i mora numrin”, nis rrëfimin e tij Pique.
“Ajo mbërriti në Afrikën e Jugut përpara nesh (skuadrës spanjolle) sepse do të këndonte në ceremoninë hapëse. I dërgova një mesazh dhe e pyeta se si ishte koha sepse do të shkonin pas disa ditësh”, tregon mbrojtësi mesazhin e parë që i kishte dërguar këngëtares.
“Kjo ishte një nga ato pyetjet idiote që ju bëni dhe normalisht që prisni përgjigje të tipit ‘është ftohtë, merr një xhup’. Por, ajo shkroi një paragraf të tërë, duke më treguar në detaje temperaturën për gjatë gjithë ditës”, tha Pique.
Mbrojtësi tregon edhe reagimin kur pa mesazhin që i kishte kthyer këngëtarja seksi.
“Mendova, ‘Zot, kjo nuk është normale’. Pikërisht përgjigjja aq e detajuar më la të kuptoja se kishte diçka. Ne komunikuam me mesazhe gjatë gjithë Botërorit, por e vetmja mundësi për ta takuar ishte në finale pasi ajo do të performonte në ceremoninë përmbyllëse. I thash që nëse do të arrinim finalen, do ta takoja dhe kështu u bë. Aty ishte hera e dytë që e takova, pasi përfundoi ndeshja sigurisht”, e mbyll rrëfimin Pique. / Top Channel