Komandant Iliri do të dekorohet me gradën Gjeneral Brigade, Ahmeti dhe Xhaferi të padëshirueshëm?!

Të mërkurën, në dhjetëvjetorin e vrasjes misterioze, në Tetovë do të ndahet dekorata Gjeneral Brigade për Isa Likën-Komandant Ilirin. Dekorata post-mortum, në Universitetin e Tetovës, për guximin dhe trimërinë që Komandant Iliri ka treguar gjatë luftës së vitit 2001.

Me këtë rast do të organizohet Akademi Solemne ku ftohen të marrin pjesë të gjithë ish – ushtarët dhe eprorët e UÇK-së, transmeton Gazeta Lajm.

Marrim vesh se për një pjesë të familjarëve të Komandant Ilirit është e padëshirueshme pjesëmarrja në Akademi e kryetari të BDI-së Ali Ahmeti, për shkak se tani tetë vite e tepër që kur është kthyer në pushtet, ende nuk është ndriçuar vrasja misterioze e Ilirit, që ndodhi në vitin 2006. Familjarët e tij janë të revoltuar se deri sa ishte në opozitë në periudhën 2006-2008, BDI tërthorazi akuzonte PDSH-në, me kryetarin e së cilës Menduh Thaçi, Ahmeti ishte bashkë të premten e kaluar.

Poashtu, marim vesh se të padëshiruar janë edhe Fazli Veliu dhe Musa Xhaferi, për shkak se familjarët dyshojnë që rastin do ta keqpërdorin për të rritur rejtingun dhe për të fituar më shumë vota, të cilat pastaj do t’ia japin Gruevskit për ta bë kryeministër.

Mirëpo burime partiake në BDI thonë se Ahmeti, Veliu dhe Xhaferi nuk do të respektojnë këto kundërshtime të familjarëve dhe do të marrin pjesë në Akademi me çdo kusht, për të fituar sa më shumë vota që pas zgjedhjeve do të ja japin VMRO-së.

Vëllai i Isa Likës flet për manipulimet e Ali Ahmetit me familjarët e tij

Para një viti, i dëshpëruar nga premtimet e panumërta, por të rrejshme, për ndriçimin e vrasjes së vëllait të tij, ekskluzivisht për Gazetën Lajm pat folur Pajazit Lika. Ai pat shpalosë dyshime të pashpalosura deri tani, për atentatin e 19 tetorit të viti 2006, kur u vra një nga figurat më emblematike të UÇK-së, e që tronditi të gjithë shqiptarët e Maqedonisë.

“Tani nuk ekziston as juridikisht, është fshirë gjithkund, sikur të mos kishte ekzistuar asnjëherë gjallë. Janë zhdukur listingjet e telefonave, raportet e policisë, që mund të ndihmonin për ndriçimin e rastit. Kryeshefat e policisë kur zgjedhen në Tetovë, në fillim të mandatit zotohen se do ta ndriçojnë këtë rast, deri në mes të mandatit, mirëpo pas një kohe, refuzojnë të na takojnë, e më vonë bile i mbyllin edhe telefonat. Sa mandate të kryeshefave kanë kaluar, kurse ende nuk është ndërmarrë asgjë për ndriçimin e këtij rastit”, ankohej i pashpresë Pajazit Lika.

Akuzat e tij shigjetojnë para së gjithash, partinë shqiptare në qeveri, për të cilën komandant Iliri, u pat sakrifikuar edhe ushtarakisht, por pat kontribuar edhe politikisht.

“Ali Ahmeti ka ardhur në shtëpinë tonë dhe ka thënë se, edhe nëse më përzini nga dera, unë do të hyjë në shtëpinë tuaj nga dritarja, duke u arsyetuar se, është njeri i kësaj shtëpie. Çfarë njeri i shtëpisë time është, kur ai tani 9 vjet nuk po bënë asgjë për zbardhjen e vdekjes e komandant Ilirit”, pyet Pajaziti.

Nëntë vjet pas vrasjes, sivjet për herë të parë nuk do të ketë Akademi përkujtimore për Komandant Ilirin. Pajazitit nuk dëshiron të flasë shumë për akademinë.

“Kërkojmë llogari dhe ndriçim të rastit, e jo akademi. Dua ta dijmë se pse nuk po ndriçohet rasti”, është decid Pajaziti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu