Shpërbërja e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, megjithëse është lajm i keq për procesin zgjedhor që vijon dhe për vlerat demokratike, është edhe një lajm i mirë, sepse kështu përfundimisht po krijohet mundësia që qytetari, me dorën e tij, ta vulosë këtë pushtet antidemokratik, antishtetëror dhe antishqiptar. Pas shumë vendimeve skandaloze dhe antishqiptare, që i ka marrë ky Parlament, ai edhe sot vazhdoi me avazin e njëjtë, duke miratuar buxhet pa asnjë debat parlamentar, duke mos e zgjidhur problemin e njësisë numër 6, që e shkel Kodin Zgjedhor, si dhe duke mos ia zgjatur mandatin Prokurorisë Speciale Publike, me çka edhe një herë dëshmoi se kjo ka qenë përbërja më e dëmshme parlamentare në historinë e këtij kuvendi.
Megjithatë, në këtë fatkeqësi është edhe një fat: më në fund kjo përbërje parlamentare nuk do të mund të marrë vendime në dëm të qytetarëve dhe të shqiptarëve dhe më në fund qytetarët e Maqedonisë, veçmas shqiptarët, do të kenë mundësi ta ndëshkojnë punën e këtyre deputetëve të papërgjegjshëm.
Derisa në zgjedhjet e kaluara shqiptarët nuk kishin alternativa, sot zgjidhja është e thjeshtë dhe e ka emrin Lëvizja BESA. Vetëm ME BESË shqiptarët mund të pretendojnë që statusi i tyre në Maqedoni të RIDEFINOHET, të pengohet diskriminimi ndaj tyre dhe të rritet mirëqenia e tyre dhe e familjeve të tyre.