Vëllai i Isa Likës: Ali Ahmeti po manipulon me familjen tonë

FAMILJARËT E KOMANDANT ILIRIT NUK U BESOJNË DEKORATAVE TË BDI-SË

“VLLAI IM JO VETËM QË U ELIMINUA FIZIKISHT, POR EDHE JURIDIKISHT PO ZHDUKIN, DUKE DASHUR TË ZHDUKIN ÇDO GJURMË TË TIJ, EDHE PAS VDEKJES”. KY ËSHTË REAGIMI PREKËS PËR GAZETËN LAJMPRESS, I PAJAZIT LIKËS, VËLLAIT TË ISA LIKËS – KOMANDANT ILIRIT

I dëshpëruar nga premtimet e panumërta, por të rrejshme, për ndriçimin e vrasjes së vëllait të tij, Pajazit Lika, vëllai i Isa Likws-Komandant Ilirit, ka folur ekskluzivisht për gazetën Lajm, edhe për herë të parë të shpalosë dyshime të pashpalosur deri tani, për atentatin e 19 tetorit të viti 2006, kur u vra një nga figurat më emblematike të UÇK-së, e që tronditi të gjithë shqiptarët e Maqedonisë.

“Tani nuk ekziston as juridikisht, është fshirë gjithkund, sikur të mos kishte ekzistuar asnjëherë gjallë. Janë zhdukur listingjet e telefonave, raportet e policisë, që mund të ndihmonin për ndriçimin e rastit. Kryeshefat e policisë kur zgjedhen në Tetovë, në fillim të mandatit zotohen se do ta ndriçojnë këtë rast, deri në mes të mandatit, mirëpo pas një kohe, refuzojnë të na takojnë, e më vonë bile i mbyllin edhe telefonat. Sa mandate të kryeshefave kanë kaluar, kurse ende nuk është ndërmarrë asgjë për ndriçimin e këtij rastit”, është ankuar Pajazit Lika.

Akuzat e tij shigjetojnë para së gjithash, partinë shqiptare në qeveri, për të cilën komandant Iliri, u pat sakrifikuar edhe ushtarakisht, por pat kontribuar edhe politikisht.

“Ali Ahmeti ka ardhur në shtëpinë tonë dhe ka thënë se, edhe nëse më përzini nga dera, unë do të hyjë në shtëpinë tuaj nga dritarja, duke u arsyetuar se, është njeri i kësaj shtëpie. Çfarë njeri i shtëpisë time është, kur ai tani sa vjet nuk po bënë asgjë për zbardhjen e vdekjes e komandant Ilirit”, pyet Pajaziti.

Nëntë vite pas vdekjes, vitin e kaluar për herë të parë nuk pati akademi përkujtimore për përvjetorin e vrasjes së Komandant Ilirit. Mirëpo vitin e kaluar nuk kishte zgjedhje, kurse sivjet do të ketë. Dhe pikërisht sivjet, kur deri në zgjedhje kanë mbetur më pak se dy muaj, organizohet një Akademi në të cilën isa Lika “post mortum” do të dekorohet me gradën Gjeneral Brigade. Kjo vendos në pikëpyetje qëllimet e sinqerta të dekoratës dhe akademisë.

“Kërkojmë llogari dhe ndriçim të rastit, e jo akademi. Dua ta dimë se pse nuk po ndriçohet rasti”, ka deklaruar Pajaziti.

Aq sa ndihen dhimbje për vëllain e vet, Isa Likën, aq ndien dhimbje edhe për bashkëluftarin e Isës, Harun Aliun.

“Haruni nuk e ndajë fare nga Isa. Edhe atë e kisha vëlla. Dy vite aktivitetet për përgatitjen e luftës i kemi zhvilluar nga një dhomë e përbashkët në shtëpinë tonë. Mendoj se për të njëjtin shkak, për të cilin e likuiduan Ilirin (Isa Likën), e likuiduan edhe Kushtrimin (Harun Aliun). Kishte shumë gjëra që i dinin vetëm ata dy”, thotë Pajaziti, duke mos i fshehur më dyshimet e tija.

Ndryshe Isa Lika, është vrarë më 19 tetor 2006 me armë automatike nga persona të panjohur të cilët e kanë gjuajtur nga një veturë në lëvizje. Ata pas pas kryerjes së vrasjes janë larguar në drejtim të panjohur. Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Isa Lika ka qenë komandant në UÇK, i njohur me nofkën komandant Iliri dhe ka udhëhequr Brigadën 112 të UÇK-së, ‘Mujdin Aliu’, e cila ka vepruar në rajonin e Tetovës./lajmpress.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu