Shtatë anëtarë të një familje janë lënduar, pas shpërthimit të zjarrit në banesën e tyre. Flakët e zjarrit shpërthyen rreth mesnatës, në një ndërtesë në Rimini.
Teksa edhe shtëpia e tyre po përfshihej nga zjarri, të shtatë shqiptarët, duke përfshirë disa fëmijë mes tyre, janë hedhur nga dritarja për t’i shpëtuar flakëve. Sipas mediave italiane, zjarri shpërtheu brenda një banese të pabanuar, në katin e parë të një ndërtese në Via Cagnacci.
Në familjen shqiptare që banonte në katin e dytë jetonin mamaja, babai, katër fëmijë dhe xhaxhai. Para ardhjes së zjarrfikësve, ishin fqinjët ata që për të shpëtuar fëmijët kanë përdorur dyshekë e batanije, duke i hedhur nga tarracat.
Pasojat më të rënda janë për një nga fëmijët e familjes, 7 vjeç dhe nëna 31 vjeçare. Njëkohësisht raportohet se në spital janë dërguar edhe babai 40 vjeçar, njëri nga fëmijët e tyre vetëm 3 muajsh, dhe dy fëmijët e tjerë 8 dhe 4 vjeç. Ndërsa xhaxhai i tyre 30 vjeç ka marrë dëmtime të lehta. /albeu.com/