Gjatë furnizimeve publike për SHA “Beton Shtip” dyshohet për manipulime të bëra në ndërtimin e disa muzeve dhe objekteve tjera të kulturës, mes të cilëve edhe për muzeun e VMRO-së.
Detajet i ka publikuar prokurorja Fatime Fetai, duke bë të ditur në mënyrë indirekte se e dyshuar është ministrja e kulturës Elizabeta Kançveska Milevska.
“Përmes bisedës telefonike i ka thënë drejtorit të SHA “Beton Shtip” që e ka rregulluar punën me të dyshuarën e dytë se është rregulluar tenderi sipas kushteve të SHA “Beton Shtip” dhe që nuk mundet t’i plotësojë kompani tjetër. Beton Shtip ka vazhduar të kryejë punët, pa u shpallur rezultatet e tenderit”, ka thënë Fetai. Ajo ka shtuar se ndaj të dyshuarës së parë dhe të dyshuarve tjerë do të kërkohen masa të posaçme për prezencë të tyre gjatë hetimeve.