Përfundimisht, Struga do të bëhet me urë druri, të ngjashme me ate që e kishte kohë më përpara dhe që ishte bërë një lloj simpatie dhe shenjë dalluese për të gjithë struganët dhe vizitorët e kalimtarët e rastit, njofton korrespodenti i agjencisë s lajmeve INA.
Kjo urë do të rikthehet në vendin e vet falë donatorit zemërgjërë, Mendi Qyra, pronar i firmës “Trim&Lum”, i cili bën një investim prej mbi 150 mijë euro, par ta rikthyer urën në vendin e vet dhe për ti dhënë Strugës pamjen që e kishte gjatë viteve të kaluara përderisa ajo urë qëndronte aty.
Kjo u bë e ditur sot në një konferencë për media organizuar nga kryetari i komunës Ziadin Sela, së bashku me investitorin-donatorin Mendi Qyra, ku u dhanë edhe informacione të hollësishme lidhur me realizimin e këtij projekti infrastrukturor.
Ndër të tjera, u theksua se “Ura tashmë gati 5 muaj është duke u pregatitur, që nënkupton pregatiten elementet e konstrukcionit, të cilat së shpejti pritet të montohen dhe të formësohet ura që do të shërbejë për kalim nga të dy anët e Drinit në qendër të qytetit. Vlera e këtij projekti fillimisht arrinë në rreth 150 mijë euro, mjete që janë siguruar nga ndërmarrja “Trim&Lum” që në rastin konkret paraqitet donator. Druri që do të përdoret për konstrukcionin e urës është nga importi, që plotëson të gjitha parametrat dhe kriteret e kërkuara sipas projektit”-tha ndër të tjera Mendi Qyra.
Kryetari i komunës, Ziadin Sela, ndër të tjera theksoi se është ky një premtim nga zgjedhjet e fundit lokale dhe angazhimi i tij ka qënë permanent për të siguruar mjete për ndërtimin e kësaj ure sa që edhe komuna e Strugës, vitin e kaluar, kishte paraparë të ndajë mjete nga buxheti komunal për ndërtimin e urës. Mirëpo, pas konsultimeve të bëra, është paraqitur donatori dhe tani realizimi bëhet me mjete të donatorit që është edhe lehtësim për buxhetin komunal. “Paraardhësit tanë, që drejtuan komunën e Strugës, e prishën urën dhe nuk e rindërtuan, ndërsa ne premtuam dhe së shpejti kjo urë do të jet realitet, do ta mbajmë premtimin dhe ura do të ndërtohet”-theksoi ndër të tjera Ziadin Sela.
Ura që ishte një nga simbolet identifikuese të Strugës, e cila nga neglizhenca e instititucioneve u la në mëshirën e kohës, më në fund pësoi zhdukjen edhe fizike të saj në muajin maj të vitit 2011, me “arsyetim” se kjo urë e ka paguar veten dhe tani duhet të zëvëndësohet me një urë tjetër modern dhe të qëndrueshme.
Megjithate, ura u zhduk dhe mbetën vetëm elementet e ankorimit nga betonarme, që sado pak përkujtonin struganët se “na ishte njëherë këtu një urë”.
Për urën e drurit, janë bërë shumë “llafe” dhe “elaborate” të cilat asnjëherë nuk janë jetësuar. Gjatë vizitës së një ekipi të specialistëve të urave, një nga specialistët për ndërtimin e urave Petre Velikovski asokohe për urën e drurit është shprehur: “Kjo urë, tashmë e ka kryer misionin e vet dhe krejtësisht është e amortiuzuar, prandaj duhet pregatitur një elaborat dhe një projekt krejtësisht tjetër. Tashmë është e pregatitur zgjidhja ideore, që do ti gjasojë dy urave të tjera, me dallim që kjo urë do të jetë ekskluzivisht për këmbësor. Njëherit, kjo urë do të dimensionohet që të mundësohet pamja e të tre urave të qytetit-dy urave ekzistuese dhe urës së re. Projekti ideor është gati dhe vetëm duhet konkretizuar edhe disa imtësi në vend ku do të vendoset ura, ndërsa gjatë kohës së ardhshme do të prezantohen disa modele-ide, që duhet të miratohen nga organet e Komunës dhe Këshillit. Kjo urë duhet të mbështetet në konstrukcionin e beton-armesë, ndërsa elementet e konstrukcionit parashihen të jenë të lehta, të mbështetura në transferzalet prej metali dhe që mundësojnë lëvizje të lirë në të dy krahët. Gjërësia e urës do të arrijë në katër metra, e mbrojtur me mburoje anësore, por sidoqoftë do të dimensionohet, varësisht nga nevoja të intervenimeve te ndihmës së shpejtë, ose ekipeve të zjarrfikësve”.