FBI heton “bombat” e Zaevit (VIDEO)

Shumë prej këtyre zërave i duken të njohur opinionit në Maqedoni.

Por deri më tani, asnjë institucion nuk ka provuar shkencërisht origjinalitetin e zërave që dëgjohen në mijëra përgjimet që i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale.

Televizioni 21 mëson jo-zyrtarisht se një ekip amerikan tashmë ka zbarkuar në Shkup pikërisht për këtë punë.

Burimet e televizionit shtojnë se ekipet e specializuara forenzike të Byrosë Federale të Hetuesisë-FBI, kanë marr mandat për këtë gjë nga autoritetet vendore, të cilat i kanë ftuar “për të dhënë ekspertizën e tyre”.

TV21 ka pyetur ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup për këtë gjë, dhe e njëjta nuk ka dhënë përgjigje të prerë nëse ekspertë të FBI-së, janë sjell në Maqedoni për të ndihmuar autoritetet lokale.

Kjo seli diplomatike sqaron ndërkaq se përmes programeve të ndryshme janë ofruar trajnime për institucione të ndryshme juridike, përfshirë për prokurorët.

“Për më tepër, agjenci të ndryshme amerikane të hetuesisë, duke përfshirë FBI-në, kanë kontakte të rregullta me partnerët ndërkombëtar, për të promovuar dhe përparuar bashkëpunimin ndërkombëtar në drejtësi, përmes një game të gjerë të çështjeve”.

Partia Sociale Demokrate e Maqedonisë-LSDM, ka dorëzuar vitin e kaluar mbi gjysmë milion materiale të përgjuara, në të cilat dëgjohen personalitete të larta shtetërore, duke shkelur autoritetet zyrtare.

Për shkak të efektit që krijoi në opinion, autoritetet ndërkombëtare ulën liderët e katër partive politike parlamentare, që të pajtohen për krijimin e Prokurorisë Speciale, e cila ka për detyrë që të hetojë “bombat” siç i quante opozitare Zaev “përgjimet”.

Deri më tani, prokuroria speciale ka ngritur tetë aktakuza, dhe po pret t’i procesojë ato në gjykatë.

Mirëpo, një gjykatë në Shkup ka nxjerr vendim se “përgjimet” të cilat po i heton PPS-ja, nuk do të merren si provë materiale për proceset eventuale gjyqësore, meqë ato janë marr në rrugë ilegale, dhe pa urdhër gjykate.

Përgjimet dyshohet se i ka bërë Drejtoria e Sigurisë dhe Kundër-Zbulimit (UBK), por kjo gjë ende nuk është vërtetuar.

As puna e ekspertëve të FBI-së nuk pritet që të bëhet publike shpejt.

TV21 mëson nga një burim tjetër se çështja “e hetimeve të autenticitetit të përgjimeve” nuk duhet të dal në opinion para zgjedhjeve “për arsye të korrektësisë politike”.

Por burime tjera brenda organit të ndjekjes e shohin si jo-relevante këtë aspekt, meqë kujtojnë se një provë e autenticitetit është prodhuar kohë më parë nga një medie ndërkombëtare, e cila ka dërguar një audio inxhizim të përgjimeve në kontroll laboratorike.

Përveç autenticitetit, ekipi i ekspertëve mjeko-ligjor amerikan, do të hetojnë edhe një aspekt tjetër të përgjimeve, për atë nëse ato janë të prera dhe të montuar, apo janë biseda origjinale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu