Prokuroria Publike e Shkupit ka ndërmarrë masa ndaj personit zyrtarë – policit i cili më 19 tetor është kapur në vendngjarje duke marrë ryshfet nga një vozitës që kishte kryer kundërvajtje në komunikacion, shkruan Fakte. Polici i akuzuar, natën mes 15 dhe 16 tetor duke kryer kontrollë rutinë ka ndalur veturën në fjalë dhe vozitësit i ka thënë sa ka kryer tri vepra kundërvajtje për çka duhet të paguajë 1000 euro dënim, por nëse pajtohet t’i jep policit 3000 denarë ryshfet, nuk do paguante denim. Qytetari ka pranuar, duke thënë se nuk kishte me vete para, ndërsa është detyruar që të nesërmen paratë t’i linte në një shitore në afërsi. Ndërkohë, polici e ka komunikuar qytetarin disa herë në celular, numrin e të cilit ia kishta marrë.
Pas paraqitjes së rastit në organet policore, është organizuar aksion dhe më 19 tetor i dyshuari është kapur në vendngjarje duke i marrë paratë. Të njejtit i janë gjetur edhe të dhëna personale dhe numra të telefonave të qindra qytetarëve të tjerë, për të cilët dyshohet se mund të jenë shantazhuar në mënyrë të njejtë.
Policit tanimë të akuzuar nga Shkupi, me inicialet B.A. me nacionalitet shqiptar, gjykatësi i ka shqiptuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve.