Skandali i vërtetë i emaileve të Clinton

Bernie Sandersi nuk e kuptoi kurrë cilësinë epike të skandaleve Clinton.

Në debatin e tij të parë, ai e injoroi çështjen e e-maileve, duke menduar se nuk ishte e denjë për një revolucionar të madh, që të merrej me gjëra kaq vulgare dhe të drejtpërdrejta.

Sandersi nuk arriti të kuptojë se skandalet e Clintonit zgjasin, janë me shumë shtresa dhe shumë komplekse.

Ata sfidojnë kohën dhe hapësirën. Ata rriten dhe hedhin rrënjë. Problemi kryesor me emailet e Hillary Clintonit nuk ishte materiali i klasifikuar. Nuk ishte as akuza që pushtoi faqet e mëdha të gazetave, e bërë nga drejtori i FBI-së, për pakujdesinë e saj ekstreme në trajtimin e skandalit.

Kjo është një shkelje serioze, dhe fare mirë mund të ishte baza për një aktakuzë. Dhe në fakt e dëmtoi atë politikisht, duke i ekspozuar sensin e saj të të drejtës mbi ligjin, si dhe duke demonstruar marrëdhënien e saj të largët me të vërtetën. Por kishte gjithmonë diçka në skaje.
Pyetja e vërtetë nuk ishte klasifikimi, por: Pse duhej që ajo të kishte një server privat? Ajo padyshim gënjeu në lidhje me qëllimin. Nuk ishte prej volisë. Ishte fshehje.
Çfarë ishte duke fshehur saktësisht? A ishte thjeshtë paranojë e kujdesshme e dikujt, që zakonisht ecën mbi vijën e hollë mes ligjshmërisë dhe paligjshmërisë? Në fund të fundit, në qoftë ajo kontrollon serverin, kontrollon provat, dhe mund t’i shkatërrojë ato – siç bëri me 30.000 emaile – sipas dëshirës.

Po çfarë të shkatërrojë? Mbani mend: Ajo e kish ngritur sistemin që para se të merrte detyrën. Është e qartë se çfarë donte të mbronte nga “këqyrja”: biznesin e Fondacionit Clinton.

Fondacioni është një sipërmarrje e madhe familjare, e maskuar si një organizatë bamirëse, një mekanizëm i paqartë dhe i sofistikuar, për të kanalizuar paratë, nga të pasurit dhe tiranikët, për tek Clinton Inc.

Qëllimi i tij është të ruajë stilin e jetës së Clintonëve (zyrat, udhëtimet, akomodimet, etj .), lidhjet e sigurta fitimprurëse, të prodhojë publicitet të favorshëm dhe të vërë në punë një seri “masash” dhe njerëzish, të gatshëm për t’i shërbyer një kthimi të Clintonëve.

Tani mësojmë se si funksiononte e gjithë makineria. Dy javë më parë, u shfaqën emaile që tregonin zyrtarë të fondacionit, duke kontaktuar me homologët e tyre në Departamentin e Shtetit për të kërkuar favore për “miq” të Fondacionit.

Për shembull, një takim me “personin e duhur” në zyrën për Libanin në Departamentin e Shtetit, për një miliarder libanezo-nigerian veçanërisht bujare. Punë e madhe, thonë mbrojtësit e Clintonit.

Gjëra të vogla. Asnjë përfshirje e vetë Sekretares. Deri kur, dalëngadalë, u zbuluan kërkesa nga fondacioni për videobiseda me vetë Sekretaren. Si për shembull ajo me princin e Bahreinit.

Sigurisht, Bahreini, baza e Flotës së Pestë, është një aleat i rëndësishëm në Gjirin Persik. Princi i kurorës nuk duhet të ketë nevojë që të kalojë nëpër një fondacion – për të cilin qeveria e tij ka dhuruar të paktën 50,000 dollarë – për të folur me sekretaren. Fakti që ai e ka bërë është domethënës.

Tani, një tjetër detaj: The Associated Press ka zbuluar se më shumë se gjysma e interesave private, që siguruan një bisedë telefonike apo kontakt personal me Sekretaren Clinton – 85 nga 154 – ishin donatorë të fondacionit. Kontributi total? Afro 156 milionë dollarë.

Përgjigja aktuale e Clintonit? Nuk kishte asnjë favor në këmbim. Pa shih ku kemi arritur. Kjo është vija e fundit e mbrojtjes. Po, është e qartë se qasja dhe ndikimi shiteshin.

Por askush nuk ka vërtetuar ndonjëherë, se donatorët kanë marrë diçka të prekshme me vlerë në këmbim – një tubacioni, një leje, një dokument, një vendim favorizues rregullator.

Është e vështirë të besohet se miqtë e Clintonëve do të ishin kaq budallenj, sa të linin diçka kaq flagrante me shkrim. Megjithatë, mund të ketë një aluzion me email në një bisedë të tillë. Dhe ndërkohë që priten mijëra e-maile të tjerë, kush e di se çfarë fshihet nën “tokë”.

Po ta mendosh, është disi e çuditshme që një kompensim i dukshëm të shërbejë si vijë e kuqe për një shkelje.

Çdo gjë më pak se një kompensim, apo favor – vendi është i mbushur me para politike që blejnë qasje – gjykohet e papranueshme. Siç thotë Donald Trumpi për kohën kur bënte donacione: “Kur unë kam nevojë për diçka prej tyre… u telefonoj dhe ata janë aty për mua”.

Kjo gjë konsiderohet rutinë. Dhe ti nuk ndiqesh penalisht, deri kur një “Rolex” shfaqet në kyçin tënd të dorës. Apo zbulohesh se ke shkëmbyer me para një takim në Senat. Dha pastaj shkon në burg.

Megjithatë, ne rrallëherë bezdisemi nga praktika rutinë, ku Presidentët shpërblejnë donatorët e mëdhenj me vende si ambasadorë, emërime në borde fitimprurës, apo ftesa në darka shtetërore.

Vija e kuqe duket se është rryshfeti. Çdo gjë më pak se sa ai – jo vetëm për Clintonët, por për këdo – është korrupsion i pranueshëm. Eshtë një standart i trishtë. Dhe në këto momente, është shpëtimi i Hillary Clintonit.

Charles Krauthammer, transmeton “Bota.al”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu