Deklarata e djeshme në “Top Talk” e Ervin Bushatit duke e projektuar Veliajn kryeministër të vend të Ramës u mbulua nga lumi i zhvillimeve të vrullshme gjatë ditëve të fundit duke kaluar si një lajm normal aty-këtu.
Në fakt, nuk duket aspak e rastësishme që mesazhe të tilla po hidhen herë pas here në media përmes njerëzve besnikë të Veliajt në politikë dhe në mediat pranë të majtës duke e projektuar atë në vend të Ramës. E gjithë kjo bëhet në momentin kur Rama është në periudhën më të vështirë të jetës së tij politike pasi është kapur me “presh në duar”.
Tashmë jo vetëm me PPP-të korruptive që ia kanë vënë lakun në fyt shqiptarëve, por me përgjime që konfirmojnë se zgjedhjet janë vjedhur përmes kriminelëve dhe trafikantëve të cilët pasi kanë mbaruar punë me votat bëjnë muhabete “leshi” dhe dashnoresh në telefon në prani të kryeministrit.
Veliaj po e gërryen Ramën nga poshtë me dinakërinë e tij edhe pse e di që shefi ka ende pushtet në dorë dhe mund ta shkatërrojë politikisht.
Megjithatë, Veliaj nuhat mirë dhe ka kuptuar se tashmë dielli i Ramës ka perënduar duke mos humbur kështu kohë për të plotësuar me veten e tij boshllëkun që do të krijohet në PS duke i njohur njëkohësisht vetes mungesat në mbështetjen nga baza socialiste.
Veliaj ka heshtur vazhdimisht gjatë skandaleve të fundit duke e lënë Ramën të përballet vetë me katrahurën që ka krijuar gjatë qeverisjes së tij, ndërsa personazhe publik dhe media që janë krejtësisht kundër Ramës sponsorizojnë Veliajn 24 orë në 24.
Asgjë nuk është rastësi në politikë!
Veliaj e di që “mbreti” është plakur dhe i plagosur dhe tashmë kërkon t’i japë goditjen përfundimtare! /albeu