Prokuroria Speciale e ngritur në Maqedoni për të hetuar dyshimet për korrupsion politik në shkallët më të larta të shtetit ka siguruar akses në elementë që mund të përbëjnë prova për përgjime të paautorizuara të urdhëruara nga kryeministri Nikolla Gruevski.
Në këtë mënyrë, prokuroria i ka dhënë fund përballjes me shërbimet sekrete që nisi më herët gjatë javës, ka bërë të ditur një përfaqësues i këtij institucioni për agjencinë e lajmeve “OCCRP”.
Nënkryetarja e Prokurorisë Speciale, Lence Ristovska tha se zyra e saj ka arritur të sigurojë këtë të premte provat nga Policia Speciale e vendit, UBK, një ditë pasi oficerët e saj kishin refuzuar urdhërin e Gjykatës Penale të Maqedonisë që të dorëzonin përgjimet e kryera në periudhën 2008-2015, shkruan Top Channel.
“Pas pengesave të verifikuara në fillim, duke refuzuar vendimin e gjykatës, kemi arritur të hedhim një hap përpara. Kemi siguriar një “hard disk” dhe të marrim të dhëna nga sistemi i monitorimit të komunikimeve”, deklaroi Ristovska.
Përgjimet e realizuara nga shërbimi sekret maqedonas me kërkesë të paligjshme të kryeministrit Gruevski u denoncuan nga lideri i opozitës, Zoran Zaev dhe çuan në shpalljen e një qeverie teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.