Dy dekadat e kaluara kanë treguar se politika dhe politikbërja këtu në Maqedoni është në krizë të thellë. Centralizmi dhe autoritarizmi brenda partive politike ka prodhuar politikanë diletant dhe të pa ditur për t’i qeverisur interesat e mëdha të shqiptarëve. Politikanët e këtillë jo vetëm që nuk janë të denjë për të mbrojtur interesat e elektoratit të cilin e “përfaqësojnë”, por ata edhe moralisht, politikisht dhe ekonomikisht i kanë nëpërkëmbur interesat e tyre, duke në mëshirën e fatit të tyre. Duke mos bërë detyrën për të cilën janë zgjedhur ata, interes parësor kanë plaçkitjen e të mirave materiale dhe abuzimin me detyrat zyrtare gjatë ushtrimit të pushtetit. Këta lloje politikanësh shquhen si politikanë Plaçkitës, pasi nuk përfaqësojnë të drejtat e popullit, por përfaqësojnë interesat e tyre të ngushta klanore. Administrimi diletant përmes politikanëve plaçkitës i merr në qafë qindra mijë administrator (zyrtarë) publik dhe shtetëror. Administrimi me politikanë të këtillë e degradon dhe nëpërkëmb juristin e shkolluar, ekonomistin e denjë dhe të zotin, mësuesin e zellshëm, profesorin dhe pedagogun e mirëfilltë, mjekun human dhe çdo administrator shtetëror të vyeshëm dhe me përvojë profesionale.
Zgjedhja e deputetëve dhe pushtetarëve truvyshkur këto dy dekada është gjithmonë në luftë të fshehtë me nëpunësit e profesionalizuar. Këta të pushtetit, të ashtuquajtur “revolucionarë”, për të Plaçkitur popullin, ua ka dhënë pushtetin edhe administrativisht diletantëve absolut, nga që ata disponojnë automatikë dhe pushkë, me ç’rast zyrtarët profesionistë shërbejnë vetëm për të realizuar qëllimet e tyre plaçkitëse.
Administrimi me politikanë plaçkitës është bërë i padurueshëm si nga aspekti nacional, ai moral ashtu edhe ai shoqëror. Rastet e fundit me deputeten dhe anëtaren e Këshillit Qendror Zgjedhore nga partia e VMRO-së Silvana Boneva dhe me ish Ministrin e Arsimit dhe Shkencës nga radhët e BDI-së Abdilhaqim Ademit tregojnë më së miri fytyrën e politikanit Plaçkitës. Ky ministër i pa “zavendsueshëm“ i BDI-së nëpërmjet administratorëve profesionist ka arritur që ta dëmtojë (plaçkit) buxhetin e kësaj ministrie me shpenzime enorme reprezentacioni, kurse shkollat fillore si ajo në fshatin Nerez i Epërm apo shkolla fillore Rilindja në fshatin Sellcë të Tetovës të jenë në gjendje të mjerueshme. Nëse te rasti i pare kemi të bëjmë me një numër jo aq të madh të nxënësve, te rasti i dytë në fshatin Sellcë shkolla numëron afërsisht 360 nxënës dhe mësimi zhvillohet në kushte sikur të jemi kah fillimi i shekullit të kaluar. Politikanët plaçkitës nuk duan t’ia dinë për interesat dhe mirëqenien e popullatës,ata janë të verbuar pas interesit material individual dhe grupor. Numri i politikanëve të këtillë(plaçkitës) është shumë i madh. Ata shtohen dita ditës. Mënyra e vetme për të ndaluar këta politikanë plaçkitës është që në zgjedhjet e ardhshme t’i zhveshim nga pushteti dhe më pastaj të detyrohen me një procedure gjyqësore që ta kthejnë pasurinë e plaçkitur në arkën e buxhetit shtetëror dhe më pastaj e njëjta të përdoret për rritjen e mirëqenies sociale të personave në nevojë. Veprimi i këtillë me siguri që do të frenonte Politikanët e ardhshëm që të keqpërdorin detyrën dhe autorizimin zyrtar për qëllime personale dhe grupore. Kohës së politikanëve Plaçkitës i ka ardhur fundi, dhe se para gjyqit të popullit nuk mund të ikë askush.