Në Shtetet e Bashkuara, presidentë bëhen vërtet gjithmonë më të mirët e më mendjendriturit? Duke parë situatën e sivjetshme parazgjedhore, e duke studiuar njëkohësisht historinë politike të vendit, ish-skenaristi i “Daily Show”, Elliott Kalan vëren se nuk ka asgjë që nuk ka ndodhur më parë, shkruan TCH.
Mendoni se Amerika nuk ka qenë kurrë më e përçarë sesa tani? Epo në vitin 1850, – kujton ai, – kongresmenët e godisnin njëri-tjetrin me shkop.
Por sa i zgjuar duhet të jesh që të ulesh në Zyrën Ovale? Nuk është e paarsyeshme të mendosh se udhëheqësi i botës së lirë duhet të jetë i shkëlqyer. Në fund të fundit flasim për komandantin e Forcave të Armatosura të shtetit më të fuqishëm të botës, njeriun që ka në dorë kodet e armatimeve bërthamore dhe mban përgjegjësi për jetët e 300 milionë shtetasve amerikanë.
Është e vetëkuptueshme, që inteligjenca në një rast të tillë nuk ka sesi të mungojë, apo jo. Epo, nuk ndodh gjithmonë ashtu. Në listën e gjatë të presidentëve amerikanë zbulon njerëz vërtet të shkëlqyer, ashtu siç gjen edhe nga ata që gjurmë kanë lënë pak.
Një studim interesant i “The Guardian” i klasifikonte kohë më parë fjalimet e presidentëve në bazë të nivelit të arsimimit dhe George Washingtoni e të ngjashmit e tij, etërit themelues, regjistronin nivele që vërtiteshin tek 20-ta, e përkthyer ndryshe 20 apo më shumë vite edukimi.
Presidentët e sotëm mezi kapin shifrën 10. A është ky një reflektim i inteligjencës presidenciale, apo thjesht pjesë e strategjive moderne të mbajtjes së fjalimeve? Çështja mbetet e hapur për diskutim. Por nuk është rastësi që të dy presidentët Bush renditen nga fundi i klasifikimit në bazë fjalori.
Te të parët e klasës hyjnë Thomas Jefferson, James Madison, John Adams, Woodrow Wilson, Theodore Roosevelt, James Garfield. Listën e atyre me nivel jo dhe aq të kënaqshëm inteligjence e kryeson Warren Harding, i ndjekur nga Andrew Johnson, Gerald Ford, Ronald Reagan e George W. Bush.