Shkresa, urdhëresa dhe fermanë që japin një pasqyrë për zhvillimet politike dhe shoqërore të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane kanë mbërritur në Tiranë. Këto dokumente kanë udhëtuar nga arkivat osmane e sot disponohen në mënyrë digjitale edhe nga Arkivi i Shtetit Shqiptar.
“Më shumë se 350 mijë fletë dokumente që datojnë nga shekulli i XV deri në çerekun e parë të shekullit të XX mbi Shqipërinë dhe shqiptarët janë marrë nga Arkivi Qendror i Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll në formë digjitale, kjo falë marrëveshjes së bashkëpunimit që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kame Arkivin Qendror të Stambollit për shkëmbimin e dokumenteve arkivore nga të dyja palët. Kjo shumë përbën përafërsisht gjysmën e të gjithë dokumenteve që Arkivi i Stambollit ka mbi Shqipërinë dhe shqiptarët dhe që pjesa tjetër pritet të merret shumë shpejt. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin shekullit XIX dhe XX, ku tregohet për zhvillimet për Shqipërinë e shqiptarët në Perandorinë Osmane, reformat, kryengritjet shqiptare dhe masat osmane për t’i shtypur ato, çështjet fetare, arsimore, ku madje trajtohet edhe çështja e shkrimit të gjuhës shqipe”, tha drejtori i Arkivit të Shtetit, Ardit Bido.
E megjithatë, sfida më e madhe e Shqipërisë sot mbetet mungesa e atyre që do t’i përkthejnë këto dokumente, pasi ka shumë pak njohës të osmanishtes. “Është një problem që nuk mund të zgjidhet menjëherë. Duhet të përgatiten njerëz që të merren me to. Duhet që të rinjtë të drejtohen në fushën osmane, kemi përpunuar shumë pak nga këto dokumente”, thotë Rezart Mezani, osmanolog.
Dokumenti më i vjetër daton më 8 shkurt 1455 dhe është një regjistër që përfshin timare në Rumeli ku përfshihen dhe qytetet shqiptare si Prizreni, Janina dhe Elbasani, por ndër më të rëndësishmet, ekspertët e arkivës rendisin ato që kanë të bëjnë me Ali Pashë Tepelenën dhe Ismail Qemalin. Mezani tregon atë që ai e quan CV-ja e punës së Ismail Qemalit. Tashmë, kanë mbërritur në Tiranë 350 mijë dokumente dhe po aq pritet të mbërrijnë brenda këtij viti.
Video: