Republika e Maqedonisë është radhitur në mesin e dhjetë ekonomive më të mira në nivel botëror dhe në mesin e pesë më të mirave në nivel evropian, thuhet në raportin më të ri të Bankës Botërore, “Doing Business”, për vitin 2017, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në raportin të publikuar në faqen e internetit të Bankës, ekonomia më e mirë është ajo e Zelandës së Re e ndjekur nga Singapori, Danimarka, Honk-Kongu, Koreja e Jugut, Norvegjia, Britania e Madhe, SHBA-të, Suedia dhe Maqedonia.
Në nivel evropian Maqedonia radhitet në vendin e pestë dhe para saj janë vetëm Danimarka, Norvegjia, Britania e Madhe dhe Suedia, që bën vendin të jetë i ranguar para shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian siç janë Estonia, Finlanda, Letonia, Gjermania etj.
Raporti e vë Maqedoninë të parën në listën e shteteve të Evropës Lindore duke e bërë një lidere në rajon sipas kushteve të të bërit biznes dhe të renditet më mirë se Sllovenia (30), Rumania (36), Bullgaria (39) Kroacia (43), Serbia (47) Mali i Zi (51), Shqipëria (58), Kosova (60), Greqia (61), Turqia (69) dhe Bosnjë e Hercegovina (81).