Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje një foto të një avioni, për të cilin theksonte se ishte duke kërkuar një piste uljeje në zonën e Lezhës duke shkaktuar mjaft reagime në rrjetet sociale.
Perballë këtyre akuzave, reagoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, i cili konfirmoi se nuk bëhet fjalë për një avion trafikantësh, por se avioni i përket një ushtrie aleate.
Reagimi
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dëshiron të informojë opinionin publik për një avion që është parë të fluturojë mbi Bazën Ajrore të Gjadrit.
Avioni ushtarak tip c¬130J pjesë e një stërvitjeje të një vendi aleat, ka hyrë në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë në Gjirokastër në orën 13:15, ka fluturuar deri në Shkodër, dhe më pas është kthyer për të dalë nga hapësira jonë ajrore në Korçë, në orën 14:54.
Kjo stërvitje e aleatëve do të vijojë deri në mesin e muajit nëntor. Shtabi i Përgjithshëm i siguron qytetarët mbi ligjshmërinë e këtyre lëvizjeve dhe kërkon mirëkuptimin e tyre pasi vendi ynë tashmë është një rajon gjithnjë e më i preferuar për stërvitje nga aleatët.